“Luftërat e çipave me Kinën rrezikojnë dëm të madh për teknologjinë amerikane”

Shefi ekzekutiv i Nvidia-s, kompania më e madhe e gjysmëpërçuesve në botë, ka paralajmëruar se industria e teknologjisë amerikane është në rrezik të “dëmeve të mëdha” nga beteja e përshkallëzuar mbi çipat midis Washington-it dhe Pekinit.

Jensen Huang ka thënë se kontrollet e eksportit të SHBA-ve të prezantuara nga administrata e Joe Biden për të ngadalësuar prodhimin kinez të gjysmëpërçuesve e kishin lënë grupin e Silicon Valley me “duart e lidhura” dhe të paaftë për të shitur çipa të avancuar në një nga tregjet më të mëdha të kompanisë.

Po ashtu ai ka treguar se kompanitë kineze po fillonin të ndërtonin çipat e tyre për të rivalizuar procesorët kryesorë të tregut të Nvidia-s për lojëra, grafikë dhe inteligjencë artificiale.

“SHBA-të duhet të jenë të kujdesshme. Kina është një treg shumë i rëndësishëm për industrinë e teknologjisë”, ka thënë ai.

Përpjekjet e SHBA-ve për të parandaluar blerjen ose zhvillimin e çipave të avancuar nga Kina janë bërë fronti më agresiv në një luftë të re të ftohtë midis dy fuqive.

Sakaq, komentet e Huang erdhën vetëm disa ditë përpara se autoritetet kineze të njoftonin një ndalim të produkteve të prodhuesit amerikan të çipave të memories Micron nga infrastruktura kritike.

Një lëvizje kjo që shihet si hakmarrja e parë e rëndësishme kundër kontrolleve të eksportit të Washington-it.

Ekzekutivi tajvanezo-amerikan ka paralajmëruar ligjvënësit amerikanë që të jenë të kujdesshëm në lidhje me vendosjen e rregullave të mëtejshme që kufizojnë tregtinë me Kinën.

“Nëse ne jemi të privuar nga tregu kinez, ne nuk kemi një emergjencë për këtë. Nuk ka Kinë tjetër, ka vetëm një Kinë”, ka theksuar Huang.

Ai ka thënë se do të kishte dëm të madh për kompanitë amerikane nëse nuk do të ishin në gjendje të bënin tregti me Pekinin.

Huang ka vijuar duke thënë se bllokimi i aksesit të industrisë së teknologjisë së SHBA-ve në Kinë do të priste paketën e financimit prej 52 miliardë dollarësh të administratës Biden për të inkurajuar ndërtimin e më shumë objekteve të prodhimit të gjysmëpërçuesve.

“Nëse industria amerikane e teknologjisë kërkon një të tretën më pak kapacitet, askush nuk do të ketë nevojë për fabrika amerikane, ne do të notojmë në fabrika”, ka thënën ai.

“Nëse ata nuk janë të kujdesshëm për rregulloret, ata do të dëmtojnë industrinë e teknologjisë”.

Nvidia e ka futur veten në qendër të një gare globale për të zhvilluar një gjeneratë të re mjetesh të inteligjencës artificiale, duke u bërë burimi kryesor i çipave që përdoren për të trajnuar modelet që fuqizojnë chatbot-e si ChatGPT i OpenAI.

Teksa vëmendja rreth inteligjencës artificiale është rritur, kapitalizimi i tregut i Nvidia është më shumë se dyfishuar deri më tani këtë vit në rreth 770 miliardë dollarë, përpara raportit të saj të fundit të fitimeve.

Vlerësimi i tij tani i kalon rivalët amerikanë si Intel dhe Qualcomm, secila me vlerë rreth 120 miliardë dollarë.

Paçka rritjes së disa stoqeve të çipave, Nvidia është ende shumë më e madhe se rivali i saj më i afërt, prodhuesi tajvanez i çipave TSMC, i cili vlen rreth 450 miliardë dollarë.

Megjithatë, kompania me bazë në Kaliforni është bllokuar nga shitja e çipave të saj më të avancuar – seritë H100 dhe A100 – te klientët kinezë që nga gushti kur SHBA vendosi kontrollet e eksportit në teknologjinë e përdorur për inteligjencën artificiale.

Nvidia është detyruar të rikonfigurojë disa nga çipat e saj në përputhje me rregullat e SHBA-ve që kufizojnë performancën e produkteve të shitura në Kinë.

Huang ka thënë se Kina përbën afërsisht një të tretën e tregut të industrisë së teknologjisë amerikane dhe do të ishte e pamundur të zëvendësohej si një burim i komponentëve dhe një treg përfundimtar për produktet e saj.

Shumica e çipave të avancuar në botë – përfshirë atë të Nvidia-s – prodhohen në Tajvan, të cilin Pekini e pretendon si pjesë të territorit të tij.

Presidenti Joe Biden ka thënë se SHBA-të do të ndërhyjnë nëse Kina ndërmerr veprime të paprovokuara ushtarake kundër Tajvanit.

Analistët druajnë se një konflikt i tillë do të çonte në një ndërprerje të rëndë globale në prodhimin e gjithçkaje, nga makinat te kompjuterët.

Kina, përfshirë Hong Kong-un, përbënte më shumë se një të pestën e shitjeve të Nvidia në vitin e saj të fundit financiar që përfundon në janar 2023, sipas raportit të saj vjetor, ndërsa Tajvani përfaqësonte më shumë se një të katërtën.

Shifrat pasqyrojnë “lokacionin e faturimit” të klientëve të saj, i cili mund të përfshijë prodhuesit me kontratë që më pas u shesin klientëve fundorë në tregje të tjera.

Bazuar në shifrat e vitit të kaluar, më shumë se 12 miliardë dollarë në të ardhurat vjetore të Nvidia – pothuajse gjysma e totalit – mund të ekspozohen ndaj çdo konflikti të mundshëm në rajon.

Po ashtu Huang ka reflektuar mbi marrjen e tij të dështuar të biznesit të çipave me bazë në Mbretërinë e Bashkuar Arm për shkak të pengesave rregullatore, duke thënë se nuk ishte më e lehtë për të investuar në Mbretërinë e Bashkuar. /Albanianpost.com

Read Previous

Meta nis raundin e fundit të pushimeve masive nga puna

Read Next

Gjykata e Dortmundit pezullon rregullat e reja të FIFA-s për agjentët