Gjermania thërret mbledhjen urgjente të G7

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka marrë vendimin për të thirrur një mbledhje urgjente të grupimit G7, i cili përfshin shtatë vendet më të zhvilluara të botës, pas sulmeve ruse në Ukrainë mëngjesin e 10 tetorit, ku tetë persona kanë mbetur të vrarë dhe 24 të tjerë të plagosur.

Kërkesa për këtë mbledhje ka ardhur nga vetë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka kontaktuar menjëherë me Scholz për ngjarjen.

Po ashtu, Zelensky ka folur edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili i ka garantuar mbështetje Ukrainës në mbrojtje ndaj Moskës.

Vetë Zelensky pritet të mbajë një fjalë përpara liderëve të G7-ës, teksa do të diskutohet edhe një rritje e mëtejshme presioni ndaj Rusisë.

Data nuk është bërë ende publike, por ajo çfarë dihet është se konferenca do të zhvillohet online.

Çfarë ndodhi në Ukrainë

Tetë persona kanë mbetur të vrarë dhe 24 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas katër shpërthimeve të raportuara në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në distriktin e njohur si Shevchenkivskyi.

Lajmin e ka bërë publik këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Ukrainë, Rostislav Smirnov, i cili ka nënvizuar faktin se ky është një bilanc paraprak i situatës në Kiev.

Pas muajsh të tërë “qetësie”, shpërthimet janë rikthyer në kryeqytetin ukrainas të Kievit, i cili u zgjua mëngjesin e 10 tetorit nën bombardimet e radhës nga Rusia.

Të paktën katër shpërthime janë dëgjuar pas impaktit në tokë dhe disa raketa janë raportuar të jenë interceptuar prej sistemit mbrojtës anti-raketor.

Në një shkrim në Twitter ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka pranuar gjithë goditjet në rajonin e Shevchenkivskyi, në kryeqytetin ukrainas, por pa dhënë detaje e shpjegime mbi atë çfarë po ndodh konkretisht atje.

Shtëllunga tymi janë parë në disa pjesë të qytetit sipas gazetave lokale dhe vetë dëshmive të banorëve të Kievit, ku lajmi është vërtetuar edhe nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP si edhe media shtetërore britanike BBC.

Një pjesë e zonave të prekura ndodhen shumë pranë qendrës së qytetit, siç bëhet me dije nga dëshmitarët.

Gjithsesi, një përcaktim zyrtar i gjithë situatës është ende i pritur prej autoriteteve lokale, të cilat kanë qenë në gatishmëri të menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Shpërthime të tjera ndërkaq, janë raportuar edhe në rajonet e Dnipro, Khmelnytskyi, Ternopil, Zhytomyr, madje edhe në Odessa.

Mbi rrethanat në këto vende gjithsesi, ende nuk ka një qartësim të asaj çfarë po ndodh. /Albanianpost.com

Read Previous

OKB dënon vrasjen e 15 emigrantëve në Libi

Read Next

Ende nuk ka debutuar me Chelsean, Zakaria drejt largimit nga Londra