Gjermania kundërshton planet izraelite për ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor

Qeveria gjermane ka kundërshtuar planet izraelite për të ndërtuar mijëra njësi të reja banimi në Bregun Perëndimor, duke thënë se ky veprim shkel ligjin ndërkombëtar dhe ndërlikon përpjekjet për të arritur një zgjidhje të negociuar me dy shtete.

“Ndërtimi i vendbanimeve shkel ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin.

“Kjo ndërlikon një zgjidhje të negociuar me dy shtete dhe një fund të pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor, siç kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, shtoi ai.

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë i Izraelit, Bezalel Smotrich, njoftoi dje planet për të ndërtuar afërsisht 3,400 njësi shtesë banimi për kolonët izraelitë në zonën E1 midis Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Ma’ale Adumim.

Zona E1 konsiderohet si një nga pikat më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Vendndodhja e saj strategjike midis Jerusalemit Lindor dhe Ma’ale Adumim do të thotë se ndërtimi atje do ta ndante në mënyrë efektive Bregun Perëndimor në seksione veriore dhe jugore, duke e bërë një territor të afërt për një shtet të ardhshëm palestinez dukshëm më të vështirë, nëse jo të pamundur.

Smotrich tha gjithashtu se vendi i tij do të aneksonte Bregun Perëndimor të pushtuar nëse unioni nderkombetar do te njihte zyrtarisht shtetin e Palestinës muajin e ardhshëm.

Izraeli mori kontrollin e Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor në vitin 1967, ku më shumë se 700,000 kolonë tani jetojnë midis afërsisht 3 milionë palestinezëve.

Sipas ligjit ndërkombëtar, vendbanimet janë të paligjshme. Palestinezët i pretendojnë këto zona si shtetin e tyre, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

“Qeveria gjermane i bën thirrje qeverisë izraelite të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve dhe do të njohë vetëm ndryshimet në kufijtë e 4 qershorit 1967, për të cilat janë rënë dakord nga palët në konflikt”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

“Qeveria gjermane mohon qartë çdo plan aneksimi nga qeveria izraelite”, tha ai. /ATSH-DPA/- 

Read Previous

​Apeli e refuzon kërkesën e Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm

Read Next

Leverkusen, Ten Hag: Nuk jam Harry Potter, mos prisni mrekulli nga unë