Gjendet edhe trupi i nënës së fëmijëve, Alma Arrazit

Është gjetur këtë të martë të 7 majit trupi i pajetë i Alma Arrazit, nënës që dyshohet se është hedhur në lumin Bunë bashkë me tre fëmijët e saj.

Më herët është raportuar edhe gjetja e tre fëmijëve.

Trupi i saj u gjet në fshatin Pentar të njësisë Dajç dhe gjetja u realizua nga palombarët e forcave RENEA.

Me gjetjen e saj ka përfunduar edhe operacioni i gjetjes së katër kufomave të familjes Arrazi, nënës dhe tre fëmijëve.

Po sot u gjet edhe trupi i pajetë i 3-vjeçarit teksa një ditë më parë u raportua gjetja e trupit të pajetë të fëmijës së dytë, pas gjetjes edhe të trupit të vajzës 9-vjeçare.

Hetime të thelluara të Policisë kanë nxjerrë në pah detaje tronditëse nga ngjarja tragjike në Shkodër.

Siç ka raportuar më parë Albanian Post, nëna dhe tre fëmijët e saj janë raportuar si të zhdukur tre ditë më parë, teksa më 4 prill, një peshkatar ka gjetur trupin e një fëmije të mitur, me shenja dhune në fytyrë.

Kallëzimin për zhdukjen e kishte bërë babai i familjes, 31-vjeçari Ergys Arrazi. Mirëpo, dyshime të forta se pikërisht dhuna e tij ka shtyrë katër anëtarët e familjes në vetëvrasje, e kanë çuar në pranga atë.

Kështu ka njoftuar vetë Policia e Shtetit.

Sipas njoftimit, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”./Albanianpost.com

Read Previous

Në veri nis instalimi i kamerave të sigurisë në rrugë

Read Next

Nënshkrimi i Mbappes ka shkaktuar tension te Real Madridi