Gjashtë shtetet që po e mbështesin Gianni Infantinon për t’u rizgjedhur president i FIFA-s

Mbështetja për Gianni Infantinon, i cili po përballet me kritika të shumta, po zvogëlohet nga dita në ditë, por një grup i vogël shtetesh raportohet se vazhdon ta mbështesë për t’u rizgjedhur si president i FIFA-s, përfshirë Katarin dhe Sri Lankën.

Udhëheqja e Infantinos është vënë nën presion të madh ditët e fundit, pasi plani i tij për të shitur pjesë të vogla të aksioneve në turne të mëdha, përfshirë Kupën e Botës, te investitorë privatë dështoi pas reagimeve të forta negative.

UEFA ka deklaruar se ajo, së bashku me “anëtarë të tjerë të familjes së futbollit”, ka humbur besimin te Infantino, i cili është president i FIFA-s që nga viti 2016. Edhe Federata Angleze e Futbollit ka mbështetur qëndrimin e UEFA-s.

Një numër i madh vendesh kanë tërhequr mbështetjen për 56-vjeçarin, përfshirë Uellsin, Suedinë, Finlandën dhe Anglinë. Megjithatë, gjashtë shtete raportohet se vazhdojnë ta mbështesin Infantinon për një mandat të ri si president i FIFA-s.

Sipas gazetarit të The Athletic, Adam Crafton, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë dy nga vendet kryesore që po e mbështesin Infantinon, së bashku me Butanin, Sri Lankën, Libanin dhe Kuvajtin.

Disa federata afrikane dhe aziatike gjithashtu kanë dalë në mbështetje të Infantinos, i cili do ta mësojë në mars të vitit të ardhshëm nëse do të rizgjidhet apo jo si president i FIFA-s. Në mesin e vendeve që e mbështesin janë edhe Maroku dhe Egjipti

Sipas statutit të FIFA-s, 20 për qind e anëtarëve të saj (43 shtete) mund të thërrasin një kongres të jashtëzakonshëm të FIFA-s.

Më pas, ata mund të kërkojnë që të zhvillohet një votim për shkarkimin e presidentit./Telegrafi/

Read Previous

Kriza në Danub: Rumania shpërthen shkëmbin me 180 kg eksploziv për të shpëtuar centralin bërthamor

Read Next

Valdano: Messi dhe Ronaldo i kanë merituar të gjitha privilegjet e futbollit në botë