Gjakovë, kishte goditur tetë herë gruan me thikë, i pranon veprimet por jo fajësinë

I akuzuari M. J ka mohuar se ka tentuar ta vriste gruan e tij duke e goditur tetë herë me thikë, në mars të këtij viti, në parkun e qytetit të Gjakovës.

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën në Gjakovë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, i akuzuari M.J tha se veprimet i pranon, mirëpo se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Nuk kam qenë vetvetja, nuk e di çka kam bërë”, tha i akuzuari.

Në këto rrethana, meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Drilon Haraçia tha se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, mirëpo se palën në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se M.J me 31 mars 2021, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të bashkëshorten e tij, N.N.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që për shkak të problemeve të mëparshme xhelozie dhe po ashtu të disa rasteve të dhunës në familje që i akuzuari ia ka shkaktuar të dëmtuarës, i njëjti sapo e vëren të dëmtuarën tek vendi i lartcekur e përcjell pas e i afrohet, e kap për fyti me dorën e djathtë, ndërsa me dorën e majtë e nxjerrë thikën nga xhepi, e në prezencën e fëmijëve të moshës 2 dhe 4 vjeç, duke bërtitur “Allahu Ekber”, e therë tetë herë me thikë, fillimisht në qafë, ku e dëmtuara bie për tokë dhe tenton të mbrohet me duar, i akuzuari vazhdon duke e therur edhe disa herë në gjoks, brinjë si dhe prapë në drejtim të qafës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Kjo vepër dënohet jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, ndërsa në nenin 28 thuhet personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, mirëpo dënimi mund të zbutet.

Read Previous

Deti ngjyroset me gjak për traditë në Ishujt Faroe (VIDEO)

Read Next

Liverpool – Milan, formacionet zyrtare