Fulham hedh në treg biletën më të shtrenjtë të futbollit në botë

Tifozët e Fulham i kanë kërkuar pronarit, Shahid Khan që të rishqyrtojë rritjen e çmimit në biletat e sezonit të vitit të ardhshëm, pasi një plan për të tarifuar deri në 3,000 paund u zbulua këtë javë.

Klubi i Premier League zbuloi çmimet e sezonit të ardhshëm të mërkurën, me një rritje prej 18 për qind në çmim për tre anët e “Craven Cottage” si dhe një tarifë deri në 3,000 paund për sektorin e ri të “Riverside”.

Është çmimi i tribunës së re, që do të hapet plotësisht për fillimin e sezonit 2023-24, që ka zemëruar më shumë mbështetësit. Do të bëhej ulëseja më e shtrenjtë në Premier League, me 157 paund për ndeshje.

Fondi mbështetës i Fulham ka akuzuar Khan për shkaktimin e “shqetësimit dhe ankthit” dhe i ka shkruar një letër të hapur pronarit duke i kërkuar një rishikim mbi çmimet e reja.

“Struktura e çmimeve ka shkaktuar shqetësim, ankth, zemërim dhe zhgënjim në një pjesë të konsiderueshme të bazës sonë besnike të fansave”, thuhej në letër.

Vendet me çmim prej 3000 paund duket se janë ndër biletat më të shtrenjta të sezonit në futboll në mbarë botën.

Zemërimi i tifozëve u nxit më tej nga klubi që u kërkoi atyre të paguanin deri të martën nëse dëshironin të blinin vendet më të shtrenjta, dhe iu dha vetëm gjashtë ditë të tjera nëse dëshironin biletat sezonale në të njëjtën tribunë me një kosto midis 1,250 dhe 1,450 paundëve.

Fulham mendon se çmimet e tyre të përgjithshme janë të ulëta në krahasim me klubet e ngjashme të Premier League, duke u rritur me një mesatare prej 2 për qind gjatë 20 viteve të fundit.

Zhvillimi i “Riverside” të “Craven Cottage” do të rrisë kapacitetin e stadiumit në 28,500 vende dhe kur të përfundojë do të përfshijë gjithashtu një pishinë në çati si pjesë e një hoteli dhe spa.

Niveli i poshtëm i rizhvillimit prej 160 milionë paundësh, i cili strehon 2000 tifozë, u hap në fillim të sezonit dhe nga viti i ardhshëm të dy nivelet do të jenë në gjendje të presin deri në 8000 mbështetës.

Aktualisht Tottenham ka ulësen më të shtrenjtë, mesatarisht rreth 106,50 paund për lojë. Ndërsa te Manchester City, një biletë sezoni do të kushtonte tre herë më pak se çmimet e reja të mundshme të Fulham, në 980 paund. /Albanianpost.com

Read Previous

‘Roboti qen’ në mesin e pajisjeve të reja për policinë e qytetit të Nju Jorkut

Read Next

Ky softuer mund të infektojë telefonin tuaj me një klikim të vetëm