FSK-ja forcon kapacitetet logjistike me 12 kamionë të rinj ushtarakë

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar 12 kamionë ushtarakë të tipit UNIMOG – Mercedes-Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e saj. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se investimet në kapacitetet transportuese dhe logjistike të FSK-së do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.

Në ceremoninë e pranimit të automjeteve morën pjesë kryeministri Albin Kurti, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks.

Sipas Maqedoncit, përveç blerjeve, Gjermania po e mbështet FSK-në edhe përmes donacioneve. Në vitin 2024, Kosova kishte pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania.

Ndërkaq, gjatë vitit 2027, sipas planifikimeve, pritet të pranohen edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës UNIMOG – Mercedes-Benz, gjithashtu si donacion nga shteti gjerman.

Përveç këtyre donacioneve, gjatë vitit 2027 është planifikuar të arrijnë edhe dhjetëra kamionë të tjerë të blerë për nevojat e FSK-së.

Ministri bëri të ditur se, me pranimin e 12 kamionëve UNIMOG – Mercedes-Benz dhe tetë kamionëve Rheinmetall gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara deri më tani nga këto dy kategori arrin në 35.

Kamionët UNIMOG janë të përshtatshëm për lëvizje në terrene të vështira dhe do të përdoren për transportimin e personelit, pajisjeve dhe materialeve, si dhe për furnizimin e njësive në kushte të ndryshme operacionale.

Sipas Maqedoncit, këto automjete, së bashku me kamionët Rheinmetall 8×8, do të kontribuojnë në forcimin e mbështetjes logjistike dhe rritjen e efikasitetit të njësive të FSK-së.

Ai ka theksuar se investimet në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore do të vazhdojnë, me synimin për zhvillimin e një force profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë. /tvsyrivision/

Read Previous

​Rasti i Liridona Ademaj rikthehet në gjykatë, çfarë kërkon sot Naim Murseli?

Read Next

“S’ke me pasë djalin” – publikohen biseda kërcënuese ndaj Arlinda Zekajt dhe pamjet e dhu*ës para vr*sjes