Franca dhe Spanja vazhdojnë luftën me zjarret pyjore, ndërsa vala e të nxehtit mban Evropën në alarm

Franca dhe Spanja vazhduan sot përpjekjet për të luftuar zjarret pyjore, me disa vatra që janë dobësuar, por autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të riaktivizimit të zjarreve.

Franca regjistroi zjarre aktive në Gironde, Var dhe Cote-d’Or, ndërsa 21 departamente mbetën nën alarm portokalli për shkak të valës së të nxehtit, sipas transmetuesit BFMTV. Katër zjarrfikës u plagosën gjatë përpjekjeve për shuarjen e një zjarri në departamentin Var, përpara se zjarri të vihej nën kontroll gjatë natës. Një zjarrfikës pësoi frakturë ndërsa të tjerët patën lëndime të lehta nga thithja e tymit.

Operacionet në zonë mbetën të vështira për shkak të të nxehtit intensiv dhe rikthimit të pritshëm të erërave jugperëndimore gjatë ditës. Në Gironde, zjarrfikësit shprehën optimizëm pas një nate të qetë, pasi kushtet atmosferike e bënë situatën më të menaxhueshme.

Ndërkohë, një zjarr në Cote-d’Or u izolua, por mbeti jashtë kontrollit, duke u përhapur në 141 hektarë ndërsa 80 hektarë u dogjën.

Departamentet franceze Moselle dhe Meurthe-et-Moselle u vendosën sot nën alarm të kuq për shkak të rrezikut “shumë të lartë” nga zjarret pyjore ndërsa 29 departamente të tjera ishin nën alarm portokalli, kryesisht në verilindje të Francës. Departamenti Var gjithashtu përballej me rrezik të lartë nga zjarret.

Prefektura e Girondes njoftoi sot në mëngjes se dy persona u arrestuan gjatë natës nën dyshimin se kishin shkaktuar një zjarr pyjor në këtë zonë.

Në Spanjë, përpjekjet gjatë natës për shuarjen e një zjarri në provincën veriperëndimore Zamora ulën nivelin e rrezikut, pasi dy vatra problematike u stabilizuan, megjithëse disa zona aktive dhe vatra të nxehta mbetën. Zjarri detyroi evakuimin e 14 qyteteve, sipas El Pais.

Zjarrfikësit spanjollë shprehën shqetësim për erërat që pritet të forcohen gjatë pasdites, së bashku me temperaturat e larta. Ndërkohë, vazhduan përpjekjet për të mbajtur nën kontroll zjarret tashmë të stabilizuara në Avila, Madrid dhe Toledo, për të parandaluar riaktivizimin e tyre.

Autoritetet po monitorojnë zjarre të tjera aktive në Castellon dhe Tarragona ndërsa vendi përgatitet për një valë të re të të nxehtit. /ATSH-AA/

Read Previous

Ancelotti thyen heshtjen dhe zbulon pse i tha ‘Jo’ ofertës së Italisë