Format e mashtrimit përmes kriptovalutave

Mashtrimet me kriptovaluta janë bërë gjithnjë e më të përhapura vitet e fundit. Format e mashtrimit janë të shumta por ndër kryesoret janë këto: 

Platforma e mashtrimit përmes formës piramidale

Përmes këtyre platformave, përdoruesit ftojnë sa më shumë miq dhe anëtarë të familjes përmes një linku referimi ku pretendohet se do të shtojnë “fitimet ditore” në bazë të numrit të personave që janë online! Kjo është një formë klasike e mashtrimit ku në momentin që nuk ka përdorues të rinj, platforma ndalon së punuari dhe fondet nuk mund të tërhiqen nga përdoruesit!

Mashtrimi përmes formës kur kërkohen fonde për investime

Kjo formë e mashtrimit bëhet duke ju premtuar fitime të larta në bazë të investimit. Ky lloj mashtrimi funksionon duke ju kontaktuar nga rrjete të ndryshme sociale ose Whatsapp ose Viber. Pasi ju kontaktojnë mashtruesit ju kërkojnë një investim fillestar duke ju premtuar një kthim të lartë për këtë investim. Ka raste kur ju lejojnë fillimisht të bëni një tërheqje fondesh për të fituar besimin tuaj dhe më pas përpiqen të marrin më shumë kapital nga ju derisa të kuptoni se është një mashtrim. Mos u dërgoni kurrë fonde njerëzve që nuk i njihni dhe ju nuk i keni takuar personalisht.

Manipulimi nëpërmjet maskimit si familja dhe miqtë tuaj

Ka raste kur mashtruesit identifikojnë rrjetet tuaja sociale dhe më pas hapin llogari në emër të familjarëve tuaj ose njerëzve të afërt ku ju kërkojnë të dërgoni fonde përmes kriptovalutave. Ju duhet të kuptoni që transaksionet kripto janë total anonim dhe nuk mund të kthehen ose të identifikohen personat të cilit i keni dërguar fondet. Kini kujdes mos dërgoni kriptovaluta nëse nuk e keni takuar fizikisht personin në fjalë.

Shkëmbimet mashtruese janë gjithashtu një formë e zakonshme e mashtrimit të kriptovalutave ku kriminelët krijojnë platforma të rreme tregtare për të vjedhur fondet e përdoruesve. Këto shkëmbime shpesh premtojnë kthime të larta dhe tarifa të ulëta për të tërhequr investitorë që nuk dyshojnë, vetëm për t’u zhdukur me paratë e tyre pasi të kenë bërë një depozitë. 

Këto mashtrime mund t’ju manipulojnë duke rezultuar në humbje të konsiderueshme fondesh dhe vjedhje identiteti.

Prandaj tregohuni të kujdesshëm dhe të hulumtoni para se të investoni në kriptovaluta për të mos u bërë pre e mashtruesve. /Telegrafi

Read Previous

Ukraina ia rrëzon nëntë dronë Rusisë

Read Next

Pas ngjarjes së sotme në Pejë, mblidhen krerët e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë