Forcat e Armatosura i bashkohen operacionit për gjetjen e trupave të mbytur në lumin Buna

Efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë kanë bërë me dije se i janë përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë dhe janë angazhuar në operacionin për gjetjen e tre trupave të raportuar të mbytur në lumin Buna, pranë fshatit Darragjat, njësia administrative Dajç, Shkodër.

Ekipet e efektivëve nga Batalioni i Forcave speciale dhe efektivëve nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i bashkohen palombarëve të Repartit RENEA, Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, Policisë së Shkodrës, Drejtorisë së Kufirit e banorëve të zonës, të cilët vijojnë kërkimet që prej ditës së djeshme.

Teksa vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj që dyshohet se janë vetëmbytur në lumin e Bunës, palombarët kanë kërkuar ndihmën e forcave të Ushtrisë.

Kërkimet kanë vijuar kryesisht në zonën e Dajçit në afërsi të Darragjatit, ku u gjet një ditë më parë trupi i 9-vjeçares.

Një grup hetimor po merr në pyetje të afërm të familjes Arrazi, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Sipas informacioneve paraprake nëna e fëmijëve është larguar nga banesa bashkë me tre fëmijët e saj më datën 2 maj dhe policia dyshon se shkak është bërë dhuna e ushtruar nga bashkëshorti, i identifikuar si Ergys Arrazi.

Policia e Shkodrës u vu në lëvizje për gjetjen e nënës dhe tre fëmijëve pas kallëzimit të bërë një ditë më pas, me 3 maj, nga bashkëshorti dhe baba i fëmijëve.

31-vjeçari, është ndaluar nga policia me akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes si pasojë e dhunës së ushtruar”.

Sipas policisë, ai ka qenë i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe tre fëmijëve.

“Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon ndërkaq intensivisht punën për gjetjen e tre shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

Reagimet

Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna.

Balla thekson se njësia e specializuar e RENEA-s dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna.

Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve”, shkruan Balla në reagimin e tij.

Ai shprehet se “ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë”.

“Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”.

Edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar e tronditur për ngjarjen e rëndë.

“Thellësisht e tronditur dhe pafundësisht e trishtuar për humbjen e katër jetëve të pafajshme në ujërat e Bunës. Tre engjëj dhe nëna e tyre kanë humbur jetën në mënyrën më makabre. Dyshimet janë se dhuna e bashkëshortit dhe babait të familjes i ka çuar drejt vdekjes”.

Ajo kërkoi që fenomeni i tmerrshëm i dhunës ndaj grave që plagos shoqërinë dhe shtetin, duhet të ndalet me çdo kusht dhe me çdo çmim.

“Lufta ndaj kësaj dhune që merr dhe sakaton jetë grash dhe fëmijësh, duhet të ngrihet në nivelin e emergjencës kombëtare”. /Albanianpost.com

Read Previous

Von der Leyen takohet me Xi Jinping në Paris

Read Next

Borrell: Izraeli dhe Hamasi të zbatojnë rezolutën për marrëveshjen e armëpushimit