FIFA me ndryshime për kartonat e verdhë në Kupën e Botës 2026

FIFA pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në rregullat e kartonëve të verdhë para Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Sipas raportimeve të The Athletic, ideja kryesore është që “kartonët e verdhë të fshihen dy herë gjatë turneut”, me qëllim që më shumë lojtarë të jenë të disponueshëm në ndeshjet vendimtare.

Propozimi pritet të diskutohet në Këshillin e FIFA-s në Vancouver, ku mund edhe të miratohet, ndërsa përgatitjet për turneun me 48 ekipe po vazhdojnë.

Sistemi i ri parashikon që “të gjithë kartonët e verdhë të anulohen pas fazës së grupeve dhe përsëri pas çerekfinaleve”, një ndryshim i madh krahasuar me turnetë e mëparshëm, ku fshirja e kartonëve bëhej vetëm në fazat e fundit.

Arsyeja kryesore e këtij ndryshimi lidhet me formatin e zgjeruar të turneut, i cili sjell më shumë ndeshje dhe një raund shtesë eliminimi. FIFA dëshiron të shmangë situatat ku lojtarë kyç humbasin ndeshje të mëdha, si gjysmëfinalet apo finalet, për shkak të kartonëve të akumuluar në fazat e mëhershme.

Sipas rregullit aktual, një lojtar pezullohet pasi merr dy kartonë të verdhë në faza të ndryshme të turneut, gjë që shpesh ka lënë jashtë lojtarë të rëndësishëm në ndeshje vendimtare.

Me propozimin e ri, lojtarët do të duhet të marrin dy kartonë të verdhë brenda një faze më të ngushtë të garës për t’u pezulluar, duke përfshirë fazën e grupeve dhe raundet deri në çerekfinale.

FIFA argumenton se kjo qasje “do të krijojë një ekuilibër më të drejtë konkurrues”, duke ulur mungesat e lojtarëve të rëndësishëm, por duke ruajtur disiplinën gjatë gjithë turneut. /RTKlive

Read Previous

PDK i bën thirrje Rushitit të tërhiqet nga gara për presidentin

Read Next

Çmimet e naftës rriten pavarësisht propozimit të Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit