FBK me strategji për basketbollin 3×3 drejt “Prishtina 2030”, shpalosen detaje

Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka bërë të ditur se basketbolli 3×3 po shndërrohet në një prej projekteve kryesore afatgjata të federatës, me synim përgatitjen serioze për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ajo ka theksuar për KosovaPress se tashmë ka nisur puna për rindërtimin dhe konsolidimin e ekipit, si dhe identifikimin e lojtarëve dhe trajnerëve të duhur për këtë disiplinë. Sipas saj, objektivi është që brenda katër viteve të krijohet një skuadër konkurruese që mund të synojë edhe medalje në Prishtina 2030.

“Jemi duke menduar në mënyrë më strategjike për basketbollin 3×3, duke pasur parasysh që në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të jetë një prej sporteve më kryesore. Kështu që kemi filluar ta ripërtërijmë ekipin, derisa të gjejmë modulin më të mirë të mundshëm për ta krijuar një ekip, dhe më pas do të investojmë katër vitet e ardhshme që ajo ekipë të paraqitet edhe të synojë njërën prej medaljeve në “Prishtina 2030”.”, u shpreh Dushku.

Dushku ka njoftuar gjithashtu se Federata e Basketbollit ka angazhuar dy trajnerë, të cilët po punojnë në identifikimin e lojtarëve dhe ndërtimin e projektit 3×3.

“Tanimë Federata e Basketbollit i ka punësuar dy trajnerë në zyre të Federatës së Basketbollit. Bëhet fjalë për dy trajnerët e Përfaqësueses A, edhe te meshkujt edhe te femrat, Bujar Locin e Lorik Kllokoqin, edhe së bashku me ta edhe me kryetarin e Shoqatës së Trajnerëve, Albert Sylejmanin, jemi duke punuar në atë drejtim që t’i identifikojmë edhe trajnerët edhe lojtarët e lojtaret në 3×3, në mënyrë që më pas ata që janë të duhurit, t’i investojmë katër vjet për paraqitjen në ‘Prishtina 2030’, por në të njëjtën kohë duke filluar prej ‘Tarantos 2026’, Lojërave Mesdhetare, është një mundësi, FIBA ka hapur një mundësi që shtetet i fitojnë në Lojërat Mesdhetare, ta kenë më të lehtë qasjen në Lojërat Olimpike”, shtoi tutje Dushku.

Në fund, Dushku ka kërkuar mbështetje institucionale nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Sportit, duke theksuar se strategjia 2026–2030 është rruga kryesore për të arritur rezultate të mëdha në skenën ndërkombëtare të basketbollit.

“Nëse dëshirojmë të arrijmë në gara më të mëdha, më gara më madhore të nivelit olimpik, atëherë sigurisht që për Federatën e Basketbollit, basketbolli 5×5 është pak më i vështirë, edhe për këtë arsye e kemi hartuar një strategji të basketbollit 3×3 2026-2030, ku po presim mbështetjen e Komitetit Olimpik dhe të Ministrisë të na japin fuqishëm që të punojmë në atë drejtim për katër vitet e ardhshme, sepse kjo është rruga e duhur për të arritur të marrim pjesë me basketboll në gara madhore siç është Lojërat Olimpike.”, tha Dushku në fund.

“Prishtina 2030” pritet të jetë një moment historik për Kosovën, pasi për herë të parë vendi do të jetë nikoqir i këtij eventi prestigjioz. Organizimi i Lojërave Mesdhetare në Prishtinë shihet si një mundësi e madhe për promovimin e sportit, zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e nivelit të garave vendore, duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes sportive ndërkombëtare. /KosovaPress/

Read Previous

Mbi 10 mijë qytetarë përfituan ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025

Read Next

Edhe Italia si Shqipëria, miraton resortin luksoz në Sardenja në zonë të mbrojtur