FBI arreston informatorin që gënjeu për Biden

Një ish-informator i FBI-së është akuzuar se ka gënjyer në lidhje me përfshirjen e Presidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden në marrëdhëniet e biznesit me kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma Holdings”.

Alexander Smirnov, 43 vjeç, po përballet me akuza dhe të dhëna të rreme. Ai është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid në Las Vegas, pas mbërritjes së tij në SHBA. Smirnov në mënyrë të rreme ka raportuar te FBI-ja në qershor të vitit 2020 se drejtuesit e lidhur me kompaninë energjetike ukrainase, Burisma, kanë paguar Hunter dhe Joe Biden 5 milionë dollarë në vitin 2015 ose 2016.

Ish-informatori i FBI-së kishte pasur kontakt me drejtuesit e “Burismas”, por ishin kontakte rutinore dhe puna e vërtetë e tij me këtë kompani nisi më 2017, pasi presidenti Barack Obama dhe Biden, nënpresidenti i tij, përfunduan mandatin dhe Biden nuk kishte aftësi që të ndikonte në politikën e SHBA-së.

Pretendimet e informatorit kanë qenë në qendër të përpjekjeve të republikanëve në Kongres për të hetuar presidentin Biden dhe familjen e tij, dhe deklarimet e tij kanë ndihmuar që të niste procedura për hetimin ndaj Bidenit në Dhomën e Përfaqësuesve. Një avokat i Hunter Biden është shprehur se aktakuza “tregon se hetimi është bazuar në pretendime të pandershme, të pabesueshme dhe pa dëshmitarë”.

Ligjvënësi kryesor demokrat në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, Jamie Raskin, kërkoi që të përfundonte hetimi ndaj Bidenit duke argumentuar se këto pretendime ndaj presidentit amerikan gjithmonë kanë qenë gënjeshtra të ndërtuara mbi teori konspirative. Nëse shpallet fajtor për deklarime të rreme, Smirnov mund të dënohet deri me 25 vjet burgim. /tvklan.al/

Read Previous

Goditet rrjeti i trafikut të drogës nga Ekuadori drejt BE-së, 31 të arrestuar

Read Next

Momenti kur Gjakova e mposht serben Perisic (VIDEO)