Euro pranë rënies nën 100 lekë, çfarë pritet?

Valuta e bllokut evropian, euro, është në fije të perit për rënien e parë nën 100 lekë në histori.

Monedha e fuqishme kontinentale, me të cilën operojnë pagesat dhjetëra shtete, ka pësuar një progresion rënës të vazhdueshëm në vitet pas pandemisë COVID-19 dhe pas një status quo-je të gjatë, e mbetur rreth shifrave 104-107 të këmbimit me lekun, ajo mund të kapërcejë pragun dhe të bjerë me dy shifra.

Në ditët e fundit, valuta është këmbyer kryesisht mes 100.1 dhe 100.4 lekë, në varësi të ditëve.

Por, prej të premtes së 3 majit, ka pasur kurse këmbimi valutor në Shqipëri, të cilat e kanë tregtuar euron në vlerën 1 me 100, referuar euros dhe lekut.

Kjo do të nxirrte edhe një shenjë tërësore barazie, duke qenë se në konceptimin e gjerë, ekuivalenti i një euroje perceptohet si 100 lekë.

Mes faktorëve që kanë çuar në rënien drastike të vlerës së monedhës evropiane, mendohet të jenë edhe forcimi i vetë lekut falë forcimit të ekonomisë shqiptare, apo fluksi tejet i lartë turistik që vendi ka pasur në vitet e fundit, duke sjellë kështu një tepri të valutës evropiane.

Po ashtu, edhe remitancat e shtuara mendohet se kanë pasur ndikim të gjerë në zhvlerësimin e euros.

Ndërkaq, për këtë fundjavë, mendohet se edhe festa e Pashkëve Ortodokse mund të ketë pasur ndikim, duke parë edhe numrin e lartë të emigrantëve që kthehen veçanërisht nga Greqia për t’i kremtuar.

Mirëpo, rënie e euros, ka ndikuar që në vlerë të ulët të qëndrojnë edhe valutat e tjera botërore.

Fjala bie, dollari amerikan këmbehet mes 93-95 lekë, paundi britanik rreth 117 lekë dhe franga zvicerane me rreth 102-104 lekë.

Me një dinamikë të tillë, është e qartë se ndryshe nga viti i kaluar, ku për pak u evitua rënia e euros poshtë barrierës prej 100 lekësh, këtë vit do të jetë e pashmangshme diçka e tillë.

Gjasat janë që rënia e euros, apo të paktën ngadalësimi i kësaj rënieje në këto rrethana, të frenohet vetëm nga ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë.

Kjo e fundit e ka theksuar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në regjimin e lirë të kursit të këmbimit. Por, rënia e vazhdueshme e inflacionit në muajt e parë të vitit 2024 mund ta justifikojë një ndërhyrje të bankës qendrore, pikërisht në këndvështrimin e objektivit të saj ligjor, të stabilitetit të çmimeve. /Albanianpost.com

Read Previous

Arrestohet një person në Vërmicë, dyshohet se i ofroi ryshfet zyrtarit policor

Read Next

Klopp: Orari i i ndeshjeve është totalisht i çmendur, kjo që na bëjnë është krim