A keni menduar ndonjëherë se si mund të nuhatet lufta? Apo era e dashurisë, aroma e shenjtë e fesë, apo era e rëndë e Parisit mesjetar? Një ekspozitë e re në Gjermani u jep vizitorëve mundësinë të përjetojnë historinë përmes nuhatjes.
Ekspozita “Fuqia e fshehtë e aromave”, e hapur për publikun në muzeun Kunstpalast në Dyseldorf, i çon vizitorët në një udhëtim përmes më shumë se 1.000 vjetëve histori kulturore, duke i bashkuar aromat me veprat e artit, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
“Kjo ekspozitë është një eksperiment dhe ftesë për publikun tonë që ta zbulojë historinë e aromave me hundën e vet”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i muzeut, Felix Krämer.
Ekspozita është e organizuar në mënyrë kronologjike, nga artefaktet fetare të mesjetës deri tek arti bashkëkohor i shekullit XXI. Në 37 sallat e saj janë vendosur pajisje aromatizuese që shpërndajnë 81 aroma të ndryshme, duke krijuar lidhje mes periudhave historike dhe veprave artistike.
Në një sallë të errët ku ekspozohen skulptura të krishtera prej druri, vizitorët përshëndeten nga aroma e mirrës, simbol i lutjes dhe pastrimit shpirtëror në krishterim, por edhe në judaizëm dhe islam.
Aromat, siç shpjegon ekspozita, nxisin reagime emocionale më të forta se çdo shqisë tjetër. Kjo kuptohet qartë kur vizitorët ndalojnë te pjesa që i kushtohet Luftës së Parë Botërore: sapo shtypin butonin, përballen me një aromë të përzier baruti, gjaku dhe squfuri.
“Kushdo që e ka përjetuar luftën, qoftë edhe në mënyrë të zakonshme, do ta urrejë atë aromë. Këtu mund të nuhasësh brutalitetin e saj”, ka thënë kuratori i ekspozitës, Robert Müller-Grünow, ekspert ndërkombëtar në fushën e teknologjisë së aromave.
Sipas tij, kjo është ekspozita e parë në botë që sjell aromat në muze në këtë formë, format dhe shkallë./koha.net