Një ekspozitë fotografike kushtuar Shën Nënë Terezës është hapur në Zagreb, duke sjellë përmes fotografive momente nga jeta dhe veprimtaria e figurës së njohur shqiptare me famë botërore.
Më 26 gusht 2026, në Atelier LM në Zagreb, u hap ekspozita fotografike “Majka Terezija – St Teresa of Calcutta”, e fotografit të njohur kroat Zvonimir Atletić.
Ekspozita, e organizuar nga Qendra Kroate e Fotografisë (Hrvatski Fotografski Centar), nën drejtimin e Luka Mjedës, sjell përmes objektivit fotografik momente që pasqyrojnë thjeshtësinë, përkushtimin dhe humanizmin e Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiut.

Përmes fotografive, ajo shfaqet si një figurë që tejkaloi kufijtë e vendeve dhe kulturave, duke u shndërruar në simbol botëror të dashurisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor.
Ngjarja kulturore u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Medias të Republikës së Kroacisë, Qytetit të Zagrebit, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Ambasadës së Republikës së Indisë dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci.
Në ceremoninë e hapjes, Ambasadën e Kosovës e përfaqësoi këshilltarja Senada Dushi.
Mbështetja e përbashkët e përfaqësive diplomatike të Kosovës, Shqipërisë dhe Indisë i jep ekspozitës një simbolikë të veçantë. Ajo lidh identitetin shqiptar të Nënë Terezës me Indinë, vendin ku ajo zhvilloi misionin e saj humanitar, ndërsa Zagrebi shërben si një hapësirë e kujtesës dhe dialogut kulturor.
Për Ambasadën e Kosovës në Kroaci, ekspozita përbën njëkohësisht një nderim për trashëgiminë e Shën Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiut dhe një formë të diplomacisë kulturore që synon të ndërtojë ura ndërmjet popujve përmes vlerave universale që ajo përfaqësoi gjatë gjithë jetës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 shtator 2026 në Zagreb./KultPlus.com