Edhe veteranët paralajmërojnë protesta, kjo është arsyeja

Ende nuk dihet se kur në Kuvendin e Kosovës do të hidhet në votim për lexim të dytë projektligji për pagën minimale.

E sapo të shkojë në Kuvend ky projektligj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pritet të protestojë sërish.

Kjo pasi sipas tyre Qeveria nuk po i plotësojnë kërkesat e tyre.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka paralajmëruar se veteranët së shpejti presin të protestojnë.

“Kur te qesin në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, që po mendojnë ta qesin ashtu, na jemi në protestë aty”, tha Klinaku.

I të njëjtin mendim se protesta nga OVL-UCK do të vazhdojë sërish pas hedhjes së projektligjit të pagës minimale në Kuvend është edhe, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

Jashari ka thënë se propozimet e veteranëve me ligj obligohen që të respektohen.

Ai thotë se Qeveria do të përballët sërish me protesta nëse nuk i realizojnë propozimet e tyre.

“Nëse e çojnë në Kuvend propozim ndryshimi ku nuk përfshihen veteranët normal që do të përballen me protestë. Ne i kemi dhënë qëndrimet dhe propozimet tona që obligohen me ligj që të respektohen për kategorinë të dala nga lufta dhe nëse nuk e respekton këtë, ne kemi  forma që të kundërshtojmë një padrejtësi të tillë”, tha Jashari.

Se ende nuk ka shkuar në Komisionin për buxhet, projektligji në lexim të dytë për pagën minimale e thotë edhe anëtari i këtij komisioni, Ferat Shala.

“Parimisht është në procedurë në komisione dhe ende nuk ka ardhur në Kuvend, nuk kemi marr asnjë informacion që është dhe ende nuk është trajtuar në komisione”, u shpreh Shala.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës./Botasot/

Read Previous

Nga NASA thonë se “Misioni Artemis 1” pritet të kryhet në nëntor

Read Next

Kush do ta mbajë kurorën e Mbretëreshës Elizabeth me vlerë 800 mijë paund?