Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se, duke nisur nga data 21 janar 2026, do të pezullojë për një periudhë të pacaktuar përpunimin e vizave të migracionit, duke prekur shtetasit e 75 vendeve, mes të cilëve edhe ata nga Kosova, në kuadër të përpjekjeve amerikane për t’i shtrënguar procedurat e verifikimit për ata që mund të konsiderohen si ngarkesë për asistencën sociale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse kjo masë është e kufizuar në dokumentin që ua jep të drejtën migrantëve të fitojnë statusin e rezidentit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, ajo është keqinterpretuar nga disa media në Kosovë, të cilat kanë nxjerrë tituj që sugjeronin se administrata amerikane ka pezulluar procesin e vizave për qytetetarët e Kosovës.
Në Kosovë, ballinat e disa mediave kanë pasur këtë përmbajtje: “SHBA ngrin vizat për Kosovën”, “SHBA e ngrin tërë procesimin e vizave për Kosovën dhe dhjetëra shtete të tjera”, “SHBA pezullon shqyrtimin e vizave për Kosovën” dhe “SHBA pezullon vizat për Kosovën, por jo për Serbinë”, duke krijuar përshtypjen se kosovarët do të humbisnin mundësinë për të kërkuar vizë për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, pezullimi vlen vetëm për një kategori vizash dhe nuk ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkura përmes vizave turistike, biznesore apo vizave të tjera, përfshirë edhe për tifozët e futbollit që duan të qëndrojnë në territorin amerikan për Kupën e Botës.
Ndryshe, qëllimi i qeverisë amerikane është shtyrja e aplikimeve të migrantëve, për shembull për bashkim familjar, derisa procedurat e kontrollit të përditësohen dhe të identifikohen ata që mund të mbështeten në asistencën sociale në Shtetet e Bashkuara.
Pra, ky vendim prek ata që mund të bëhen ngarkesë publike për taksapaguesit amerikanë, një koncept ligjor që ka ekzistuar në sistemin amerikan prej dekadash, por që ka gjetur zbatim rigoroz nën administratën e presidentit republikan, Donald Trump, i cili është zotuar të kufizojë hyrjen e personave të padëshiruar në Shtetet e Bashkuara. /Albanianpost.com