E ka pushtuar prej 6 muajsh, Rusia akuzon Ukrainën për krime lufte

Moska ka akuzuar 92 anëtarë të forcave të armatosura të Ukrainës për krime kundër njerëzimit. Këtë e njoftoi kreu i komitetit hetimor të Rusisë. Alexander Bastrykin i tha gazetës pro qeveritare, Rossiiskaya, se më shumë se 1300 hetime penale kishin nisur. Ai propozoi gjithashtu një Gjykatë Ndërkombëtare të mbështetur nga disa vende, duke përfshirë Bolivinë, Iranin dhe Sirinë.

Mbi 90 persona, përfshirë 51 komandantë të forcave të armatosura, janë në kërkim, bëri të ditur Bastrykin. Ukrainasit janë të përfshirë në “krime kundër paqes dhe sigurisë së njerëzimit”, tha ai për median në fjalë.

Mediat ndërkombëtare nuk kanë qenë në gjendje të verifikojnë pretendimet e bëra në intervistë dhe Kievi nuk ka komentuar akuzat e ngritura.

Ukraina po kryen gjithashtu hetimet e veta. Këtë muaj, Kievi tha se po shqyrtonte më shumë se 21 000 krime lufte dhe krime agresioni që dyshohet se janë kryer nga forcat ruse që nga fillimi i luftës në shkurt.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila e ka përshkruar mbarë Ukrainën si “skenë krimi”, ka dërguar atje një ekip hetuesish dhe ekspertësh të mjekësisë ligjore. Kremlini mohon të gjitha krimet e luftës apo të ketë shënjestruar civilët.

Rusia ka fajësuar rregullisht Ukrainën për bombardimin e infrastrukturës së saj dhe vrasjen e civilëve të saj – akuza të cilat janë hedhur poshtë gjerësisht nga udhëheqësit ndërkombëtarë. Moska ka bërë vazhdimisht pretendimin e rremë se Ukraina është pushtuar nga neo-nazistët si justifikim për atë që ajo e quan një “operacion special ushtarak”./A2news/

Read Previous

Fshati që jeton mbi flori dhe që po përpihet nga toka

Read Next

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, cakton dy seanca