Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka vendosur t’i lirojë nga grumbullimi dy futbollistët Edon Zhegrova dhe Veldin Hoxha, të cilët nuk do të jenë në dispozicion për ndeshjen e radhës ndaj Irlandës.
Zhegrova është liruar për shkak të një lëndimi, i cili e pamundëson të jetë i gatshëm për sfidën e ardhshme të Dardanëve.
Kështu, përzgjedhësi Foda nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e tij në këtë përballje të rëndësishme.
Ndërkohë, nga grumbullimi është liruar edhe Veldin Hoxha, por për një arsye tjetër. Mesfushori është i pezulluar për ndeshjen ndaj Irlandës, pasi u ndëshkua me karton të kuq, pas dy kartonëve të verdhë, në duelin e djeshëm kundër Izraelit.
Kësisoj, Kosova do të udhëtojë drejt ndeshjes së radhës pa dy futbollistët, të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të jenë pjesë e skuadrës në këtë takim.
Dardanët synojnë ta përfundojnë fazën e grupeve me rezultat pozitiv dhe ta sigurojnë pozitën e dytë, e cila u mundëson pjesëmarrjen në plejofin për promovim në Ligën A të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/
