Dua Lipa: Kadare testoi aftësitë e mia gjuhësore, më ndihmoi të lidhem me identitetin tim shqiptar

Në ceremoninë e çmimeve letrare “Booker Prize 2022”, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, mbajti një fjalim mbi dashurinë e saj të përjetshme për të lexuar. Artistja përmendi autorët dhe veprat që kanë lënë tek ajo gjurmë të pashlyeshme. Ndër të tjera, Lipa nuk la pa përmendur dhe letërsinë shqipe, duke veçuar shkrimtarin Ismail Kadare, vepra e të cilit “Kështjella”, e ka ndihmuar në aftësitë e saj gjuhësore dhe për t’u lidhur me trashëgiminë dhe identitetin e saj kulturor.

“Së pari, një falënderim nga zemra për Fondacionin e “Booker Prize” që më ftoi këtu sonte. Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve më të ndritura letrare në botë, për të folur për një nga gëzimet më të mëdha në botë, kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri.

Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollave në Londër, pëlqimet e mia të hershme përfshinin autorët Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhuruan perla të vogla urtësie që më udhëheqin ende sot.

Kur isha 11 vjeç, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave të tillë si “Kështjella” e Ismail Kadaresë, testoi aftësitë e mia gjuhësore, si dhe më ndihmoi gjithashtu të lidhem me trashëgiminë dhe identitetin e familjes sime si shqiptarë të Kosovës. Përmes Kadaresë, mësova për frymën e rezistencës shqiptare, pikërisht atë vendosmëri që i bën shqiptarët e Kosovës të luftojnë sot për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë.

Shpesh pyes veten nëse autorët e kuptojnë se sa dhurata na bëjnë. Sot, angazhimet me turne të shumta më çojnë në të gjithë globin dhe jeta është shpesh e ethshme dhe për këtë ndonjëherë më duhet të shfaq një anë timen më të ashpër. Pikërisht, në këto momente, janë librat që më zbutin.

Në fillim të këtij viti lançova një podcast, të cilin e dua sepse më jep mundësinë të flas me disa nga autorët e mi të preferuar. Ata janë mysafirë të jashtëzakonshëm, pasi harmonizohen me emocionet njerëzore. Sinqerisht, është më e mirë se çdo seancë terapie në të cilën kam qenë ndonjëherë!

Shkrimi i mirë ka fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndihen të parë dhe të dëgjuar, të tregojnë histori që bota i ka injoruar. Ne të gjithë dëshirojmë vetëm të duam dhe të na duan, si dhe të gjejmë vendin tonë në botë, dhe autorët me të vërtetë na ndihmojnë për ta bërë këtë.

Për secilin prej autorëve të përzgjedhur sonte, nëse libri juaj ishte diçka që ju e keni shkruar vetëm për veten tuaj, për të ndryshuar botën, ose thjesht sepse mendonit se duhej, ju falënderoj që na lejuat të hyjmë në botët që krijoni. Me të vërtetë do të thotë shumë për ne lexuesit.

Dua Lipa.”

Read Previous

Prezantohet në Dubai një nga diamantet më të mëdhenj në botë

Read Next

Virusi i modifikuar i herpesit, “kura” që “zhduk” kancerin në fazë terminale