Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zararit i është ndaluar 40% e pagës për 6 muaj, nga Komisioni Disiplinor i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
“Komisioni Disiplinor, pas shqyrtimit të rastit ndaj dr.Jeton Zarari, drejtor i SP Gjakovë, ka shqiptuar masën disiplinore “ndalim i 40% të pagës për periudhë 6 muaj” për shkak të shkeljeve disiplinore dhe mos kryerje e detyrave të punës sipas kontratës” – ka konfirmuar Alban Janova, Shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore në ShSKUK, për KALLXO.com
Zarari ishte dërguar në komision disiplinor, muajin e kaluar pasi që kishte marrë vendim që të ndalohej puna në sallat operative për operacionet e planifikuara në Spitalin e Gjakovës.
“Ju konfirmojmë se pas raportit te Grupit Punues të formuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, lënda, përkatësisht drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë, është proceduar në Komision Disiplinor të ShSKUK-së” – kishte thënë Zyra për Informim e ShSKUK-së.
KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me Jeton Zararin dhe e ka pyetur se si e komenton këtë vendim, mirëpo Zarari është përgjigjur se është i zënë dhe do të kthejë përgjigje më vonë. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ai nuk ka ofruar përgjigje.
Vendimi i Zararit për t’u ndërprerë puna në sallat operative për programin e planifikuar (të ftohtë) kishte hyrë në fuqi më 7 korrik 2023. Arsyetimi i tij ka qenë për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë.
Deri në një vendim tjetër, ishte vendosur që të pranoheshin vetëm rastet urgjente.
Kryesuesi i Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Naim Bardiqi, e pati cilësuar të pakuptimtë këtë vendim, në mbledhjen e Bordit të mbajtur më 20 korrik.
Një javë para se Zarari të vendoste për ndalimin e operacioneve të planifikuara, Bordi kishte mbajtur një mbledhje në Spitalin e Gjakovës.
Bardiqi po ashtu ka përmendur se në këtë mbledhje, drejtori i Spitalit, Jeton Zarari ishte arsyetuar për rënien e numrit të operacioneve dhe të shfrytëzueshmërisë së shtretërve pasi që ishte prishur autoklava.
Autoklava është pajisja që bën sterilizimin e manteleve, fashave e pajisjeve të tjera kirurgjike.
Sikurse në mbledhjen e mbajtur në Gjakovë, edhe në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, Bardiqi ishte kritik lidhur më këtë dhe kishte thënë se ka qenë përgjegjësi e menaxhmentit që të gjejë një mënyrë për të zgjidhur këtë problem.
“Është dashur që me emergjencë të sigurohet autoklava, të gjendet mënyra…” – tha Bardiqi.
Në vizitën e Bordit në Spitalin e Gjakovës, Bardiqi ishte shprehur i pakënaqur me punën, duke cilësuar se Spitali i Gjakovës ka pasur nënperformancë në tre muajt e parë të këtij viti.
/kallxo.com/