Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport reagon lidhur me mbështetjen financiare të Mitingut të Poezisë

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka reaguar lidhur me mbështetjen financiare të Mitingut të Poezisë në Gjakovë.

Drejtoria thekson se Komuna e Gjakovës ka shpallur Thirrjen Publike për mbështetje financiare për të gjitha OJQ-të që funksionojnë në Komunën e Gjakovës në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Reagimi i plotë nga DKRS:

“Lidhur me mbështetjen financiare të Mitingut, informojmë opinionin publik se:
Komuna e Gjakovës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në muajin Mars të këtij viti ka shpallur Thirrjen Publike për mbështetje financiare për të gjitha OJQ-të që funksionojnë në Komunën e Gjakovës në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.


Procesi i thirrjes gjendet në fazën e vlerësimit të kërkesave të paraqitura nga OJQ-të pjesëmarrëse, së shpejti do të dalë me rezultate preliminare, të njëjtat rezultate do të publikohen në web faqen e Komunës së Gjakovës dhe në tabelat e njoftimeve.

OJQ “Gjon Nikollë Kazazi” – Mitingu i Poezisë vitin e kaluar ka aplikuar në thirrje dhe komisioni e ka shpallur si OJQ fitues, që gjindet i publikuar në faqen zyrtare të komunës. Ndërsa këtë vit nuk ka aplikuar fare në thirrjen publike të shpallur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, rrjedhimisht nuk mund të mbështetet një projekt apo kërkesë pa pasur aplikim siç përcaktohet me ligjet e aplikueshëm.

Ndërsa, vitin e kaluar drejtoria ka shpallur Thirrjen Publike edhe për personat fizik – autorët e librave, në atë thirrje janë pranuar gjithsej 9 kërkesa, ku 5 nga të cilat kanë plotësuar kriteret dhe janë miratuar nga komisioni i udhëhequr nga anëtarë kredibil si: Drejtori i Bibliotekës së Qytetit.

Ju njoftojmë se, pas përfundimit të procedurave të thirrjes publike për OJQ-të, edhe këtë vit drejtoria do të bëjë shpalljen e thirrjes publike për mbështetjen e kërkesave për personat fizik – autorët”, thuhet në reagimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. /tvsyrivision/

Read Previous

IOC: Atletët palestinezë do të ftohen në Lojërat Olimpike të Parisit

Read Next

Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë