Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të pikës kufitare në Merdar.
Automjeti ishte përzgjedhur për kontroll në bazë të analizës së riskut, ndërsa pas intervistimit fillestar është dërguar për kontroll të detajuar në vijën e dytë.
Gjatë kontrollit të përbashkët, zyrtarët doganorë dhe policia kufitare kanë zbuluar para të fshehura në dy lokacione të ndryshme të automjetit. Sipas njoftimit, 10,000 euro janë gjetur në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro të tjera janë zbuluar të fshehura në zarfe brenda automjetit, duke e çuar shumën totale në 23,500 euro.
Personi i kontrolluar ka paraqitur dokumente mbi prejardhjen e mjeteve monetare, përfshirë një kontratë noteriale dhe dëshmi bankare për tërheqje të parave.
Pas procedurave të zhvilluara, ndaj tij është aplikuar ndalimi i 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e parave është kthyer, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që bart 10,000 euro ose më shumë gjatë hyrjes apo daljes nga territori i Kosovës obligohet t’i deklarojë ato, përndryshe përballet me masa ligjore.