Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Velipoja po përballet me një nga kërcënimet më serioze mjedisore të viteve të fundit: avancimin e detit drejt tokës.
Ky fenomen, i njohur si transgresion detar, është më i dukshëm pranë deltës së Bunës dhe po rrezikon çdo vit gjithnjë e më shumë sipërfaqe plazhi dhe toka bujqësore.
“Transgresioni detar është fenomen natyror, por shoqërohet edhe me elemente të tjera, pa lënë mënjanë veprimtarinë njerëzore. Ndërhyrjet pa kriter që zhvillohen shpesh përgjatë shtretërve të lumenjve nuk bëjnë gjë tjetër përveçse shtojnë gjithnjë e më tepër fenomenin e erozionit në bregdet,” thotë Ervis Krymbi, ekspert mjedisi.
Sipas ekspertëve, në disa zona deti ka avancuar deri në pesë metra në vit, duke zhdukur sipërfaqe të tëra rëre dhe duke afruar ujërat e detit pranë rezervatit natyror e për rrjedhojë duke sjellë pasoja.
“Ndikon drejtpërsëdrejti në ekosistem, në përgjithësi. Duhet ndërhyrë me masa emergjente, si mbjellja e pemëve, e cila duhet të ishte shumë e rëndësishme, dhe kontrolli më i madh përgjatë shtretërve të lumenjve,” thekson eksperti i mjedisit.
Velipoja mbetet një nga zonat më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe çdo vonesë do të thotë humbje e mëtejshme toke duke rrezikuar potencialin turistik të saj. Pak kohë më parë ky fenomen mori vëmendje edhe nga Radiotelevizioni publik turk. Thirrja e ekspertëve shkon në drejtim të institucioneve që të veprojnë sa më shpejt për të mbrojtur këtë pasuri natyrore të Shkodrës. /rtsh.al/