Detajet e aktakuzës për krimet e luftës në Gjakovë

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj 20 personave, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Gjakovë gjatë viteve 1998-1999.

Sipas aktakuzës, grupi prej 20 personash akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve shqiptarë, ndërsa Prokuroria Speciale ka kërkuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili aktualisht kërkohet nga autoritetet e Kosovës edhe në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023.

Të gjithë të akuzuarit janë identifikuar në aktakuzë me iniciale: M.K., R.C., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A.

Betimi për Drejtësi” kishte siguruar urdhërarrestin, me të cilin urdhërohej shoqërimi i menjëhershëm i të pandehurve: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Dozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.

Çfarë ndodhi në Gjakovë?

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor në vitet 1998-1999, pjesëtarë të forcave serbe, përfshirë personat e akuzuar, kanë marrë pjesë në veprime kundër civilëve shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se M.K., në atë kohë shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, R.Ç., komandant i njësive të Policisë së Posaçme, dhe M.D., komandant i Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të akuzuarit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve.

Sipas Prokurorisë, gjatë këtij operacioni gratë dhe fëmijët janë ndarë nga burrat. Grave, sipas aktakuzës, u janë marrë stolitë e arit, paratë dhe sende të tjera me vlerë, ndërsa burrat janë vrarë në shtëpi, në oborre dhe në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”.

Prokuroria pretendon gjithashtu se gjatë këtyre veprimeve janë djegur edhe shtëpitë e banorëve.

Mbi 300 civilë shqiptarë dyshohet se u arrestuan

Në dokumentet e përfshira në rastin penal thuhet se, përveç vrasjeve, nga 7 deri më 10 maj 1999 ky grup dyshohet se ka arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë.

Sipas këtyre pretendimeve, civilët janë mbajtur në burgje të improvizuara, ku u është mohuar trajtimi human dhe kushtet elementare, përfshirë ushqimin e rregullt, higjienën dhe kujdesin mjekësor.

Një pjesë e të burgosurve më pas, sipas dokumentit të fletarrestimit, është dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë. Ata janë liruar pas përfundimit të luftës, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Trupat u gjetën në varrezën masive në Batajnicë

Rasti lidhet edhe me zbulimin e trupave të viktimave shqiptare në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.

Në dokumentin për fletarrestimin e të dyshuarve thuhet se në zonën e “Urës së Taliqit”, nga 7 deri më 10 maj 1999, pjesëtarë të uniformuar të forcave ushtarake dhe policore serbe kanë hyrë shtëpi më shtëpi, kanë nxjerrë me forcë personat që ndodheshin aty dhe i kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët.

Sipas këtij dokumenti, më pas janë vrarë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve pas luftës janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë.

Emri i Radoiçiqit ishte përmendur nga familjarët e viktimave

Përfshirja e emrit të Millan Radoiçiqit në këtë rast nuk është përmendur për herë të parë në aktakuzën e re.

Në vitin 2025, familjarë të viktimave në Gjakovë i kishin thënë Radio Evropa e Lirë se emri i tij dhe i personave të tjerë ishte përmendur prej vitesh në rrëfimet për ngjarjet e luftës.

Luljeta Sharani, së cilës më 10 maj 1999 iu vranë burri, dy djemtë dhe dy kunetërit, kishte deklaruar se në Prokurori ishin dërguar prej kohësh emrat e personave që dyshohej se kishin marrë pjesë në dëbimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë.

“Është folur jo vetëm emri i Millan Radoiçiqit, por i të gjithë të tjerëve që kanë marrë pjesë në vrasje”, kishte thënë ajo.

Edhe Ngadhnim Bicurri, të cilit iu vranë babai dhe dy xhaxhallarët më 10 maj 1999, kishte treguar se kishte parë personat që i kishin çuar familjarët e tij drejt ekzekutimit.

“Emrat nuk ua kam ditur, por i kam mësuar pasi ka ndodhur rasti”, deklaroi ai.

Radoiçiq kërkohet edhe për rastin e Banjskës

Radoiçiq është njëkohësisht një nga personat më të kërkuar nga autoritetet e Kosovës për rastin e Banjskës.

Ai e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur të vitit 2023 në veri të Kosovës, gjatë të cilit u vra polici Afrim Bunjaku.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe ka akuzuar Serbinë për përfshirje.

Në rastin e krimeve të luftës në Gjakovë, aktakuza e Prokurorisë Speciale pritet të ndiqet përmes procedurave gjyqësore, ndërsa ndaj të akuzuarve është kërkuar zhvillimi i gjykimit në mungesë.

Read Previous

Aksident i rëndë trafiku në Korenicë të Gjakovës