Dëshmitari i 56-të në Speciale dëshmon në seancë të mbyllur

Një tjetër seancë e re ka nisur në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), por që e njëjta është duke u mbajtur e mbyllur.

Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, njoftoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallë të pranishëm ndërsa Jakup Krasniqi, është duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes dhe për këtë i ka dhënë leje trupi gjykues.

“Na duhet një orë, raporti i psikologes që morëm dje na informoi se duhet t’i bëjmë pyetjet sa më të thjeshta”, ka thënë Smith.

Pas këtij njoftimi të Smith-it, seanca ka kaluar në të mbyllur.

Në Speciale, të mërkurën ka përfunduar dëshminë ish anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Qeriqi.

Intervistimin e Qeriqit e kishte nisur prokurorja D’Ascoli, e cila e ka pyetur atë për një dokument që i është dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2005, dokument ky që ishte nënshkruar nga Shukri Buja.

Në seancën e parë Qeriqi, ishte intervistuar nga avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Jeffrey Roberts, i cili e ka pyetur atë për një letër që e kishte pranuar nga Azem Syla për të ia dorëzuar më pas Rexhep Selimit.

Ai ka thënë se para kësaj porosie që kishte marrë se kishte takuar asnjëherë Rexhep Selimin.

Ndërkaq, pohoi se s’kishte lexuar se çfarë kishte ajo letër, por që me aq sa i kujtohet Selimi e kishte lexuar në prani të tij.

Ai gjatë së mërkurës në ditën e dytë ishte marrë në pyetje nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aiden Ellis.

Ellis, e ka pyetur atë nëse e kishte parë ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, duke jepur urdhra ose udhëzime ndaj anëtarëve ai ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, ju lutem jo. Me përjashtim, atëherë kur ka qenë në Krojmir. Unë nuk kam pas pjesë as me Shtabin e Përgjithshëm as me zonën përveç deri në brigadë”, tha Qeriqi.

Qeriqi, deklaroi se Jakup Krasniqin, e kishte parë vetëm një herë.

“Atë ditë në Krojmir, tjetër ditë nuk e kam parë. Ka mund të jetë edhe në ndonjë ditë tjetër, por se kam parë”.

I pyetur për Hashim Thaçin, ai u shpreh se nuk kanë qenë të informuar për funksionin e tij, por që më vonë e ka kuptuar që ka qenë staf politike në Shtabin e Përgjithshëm.

“Nuk e kemi ditur pozicionet e tyre. Por, më vonë e kemi kuptuar që ka qenë politik në Shtabin e Përgjithshëm dhe ka marrë pjesë në Rambuje. Atë kohë nuk e kemi ditur pozitën e saktë, por pas lufte e kemi kuptuar. Për Azem Sylën, e kemi ditë që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Qeriqi.

Ndërsa, shtoi se Thaçi s’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit.

“S’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit që kanë qenë dhe njëherë që ka ardhur në Krojmir. Për këto raste, jo në mbledhje”, tha ai duke shtuar se në Krojmir nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur veshur.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

OBSH: Vaksinat shpëtuan 154 milionë jetë në 50 vjetët e fundit

Read Next

Zbulohet arsyeja pse Xavi vendosi të qëndrojë te Barcelona