Dëshmitarët flasin për tragjedinë në Tetovë

Qytetarët e Tetovës janë të tronditur nga shpërthimi dhe djegia që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në spitalin modular në Tetovë.

Dëshmitarët thonë se ka pasur britma të mëdha njerëzish, ndërkaq shtojnë se flakët kanë shpërthyer shumë shpejt. Qytetarët thonë se në vendin e ngjarjes për rreth 10 minuta kanë qenë prezent edhe zjarrfikësit por fatkeqësisht zjarri ka shkrumbuar godinën për shumë pak kohë.

Banorët e Tetovës të cilët në momentin e shpërthimit kanë qenë në afërsi të spitalit modular rrëfehen për Alsat se kjo është një tragjedi shumë e rëndë e cila nuk mbahet mend në 40 vitet e fundit.

Një dëshmitar tjetër që kishte ardhur për pushime, e ka quajtur tronditëse shpërthimin që ndodhi aty. Ai pati edhe kritika se si nuk vendoset në objekt sistemi kundër zjarrit.

“Jam shumë i tronditur! Nuk e di deri ku do të shkojë, ky shtet si do të funksionojë kështu. Më vjen keq për njerëzit që jetojnë këtu. Unë jam mysafir jam këtu në pushim. Më vjen keq për njerëzit që jetojnë këtu në këto kushte. Asnjë nga ato nuk kanë aparat kundër zjarrit që kanë mundur fqinjët të marrin dhe t’iu dalin në ndihmë. Këtu s’ka asgjë. Në Norvegji kur vihet një objekt fillimisht vihet sistemi kundër zjarrit, ose montohet brenda ose nga jashtë, por këtu nuk di, ky është një skandal”, u shpreh mërgimtari.

Dëshmitari tjetër tregoi se ishte në oborrin e tij kur kishte shpërthyer zjarri ku edhe kishte dëgjuar britma njerëzish.

“Isha brenda në oborr. Dëgjuam disa britma njerëzish, çfarë ishte[…]Nuk i dhashë rëndësi, thashë fëmijët janë. Kur pas 10 minutave dëgjova se është djegur spitali. Zjarr i madh. Britma të mëdha kanë qenë, tragjedi. Pas 10 minutave a kishte vetura të zjarrfikësve”, thotë një qytetar i Tetovës.

Edhe një tjetër dëshmitar ka treguar për momentin kur ndodhi shpërthimi i zjarrit

“Me sy kur erdha unë vetëm flakën e pashë, tymin. Prej nga ura poshtë e pashë tymin. Dmth shumë tym, shumë lart, dmth edhe era vinte deri poshtë. 30 metra lart zjarri. Katastrofë ka qenë, ulërimë e madhe pikëllim i madh”, tha një dëshmitar tjetër.

Mbrëmjen e së mërkurës spitali modular i Tetovës ku po trajtoheshin pacientët për Covid-19, u përfshi nga zjarri ku nga kjo ngjarje tragjike mbetën të vdekur dhjetëra persona dhe të tjerë u lënduan.

Autoritet janë duke punuar në identifikimin e viktimave ndërsa Tetova ka shpallur tri ditë zie për viktimat e këtij rasti tragjik.

Read Previous

​SPSPK kërkon përfshirjen në pagat shtesë

Read Next

KQZ: Të gjithë vëzhguesit dhe komisionerët duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19