Coca Cola thotë se mund të përdorë më shumë shishe plastike për shkak të tarifave të Trumpit

Coca-Cola ka paralajmëruar se mund t’i duhet të shesë më shumë pije në shishe plastike në SHBA, nëse tarifat e presidentit Donald Trump për aluminin bëjnë që kanaçet e aluminit të kushtojnë më shtrenjtë. 

Deklarata nga shefi ekzekutiv i kompanisë, James Quincey, pak ditë pasi presidenti Trump urdhëroi një taksë importi prej 25% për çelikun dhe aluminin që hynë në SHBA nga çdo vend, gjë që mund të përfundojë duke rritur çmimin e artikujve të ushqimit dhe pijeve të konservuara në vend, raporton BBC.

Në dhjetor, gjigandi i pijeve zvogëloi objektivin e tij të qëndrueshmërisë për përdorimin e 50% të materialeve të ricikluara në paketimin e tij deri në vitin 2030.

Grupet mjedisore e kanë etiketuar Coca-Cola-n si “ndotësin kryesor global të plastikës” për gjashtë vjet radhazi.

“Nëse kanaçet e aluminit bëhen më të shtrenjta, ne mund të vendosim më shumë theks te shishet PET (plastike)”, ka deklaruar Quincey.

Shefi i Coca-Cola gjithashtu kërkoi të minimizohej ndikimi i tarifave në biznesin e tij duke thënë se paketimi është vetëm një komponent relativisht i vogël i kostove të kompanisë së tij.

Në vitet e fundit, Coca-Cola kishte shitur më shumë produkte në kanaçe alumini si pjesë e strategjive të saj të marketingut dhe qëndrueshmërisë.

Pavarësisht se janë përgjithësisht më të shtrenjta, kanaçet e aluminit janë gjithashtu shumë më të riciklueshme me kalimin e kohës sesa shishet plastike.

SHBA-ja importon pothuajse gjysmën e aluminit që përdor, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, kështu që një tarifë 25% për të gjitha importet ka të ngjarë të bëjë që kanaçet të bëhen edhe më të kushtueshme.

Pasi Trumpi urdhëroi për herë të parë tarifat në vitin 2018, shumë prodhues të kanaçeve fituan “përjashtimet” nga ato taksa të importit.

Por këtë herë, Trumpi ka thënë se nuk do të ketë përjashtime nga rregullat as për produkte individuale, as për vende të veçanta./koha.net/

Read Previous

Udhëtim në Romë: Nga Koloseu te Fontana di Trevi

Read Next

KQZ: Pavarësisht vonesave, integriteti i votës nuk është cenuar