Çmimet e naftës rriten për shkak të vazhdimit të përplasjeve ShBA-Iran

Çmimet e naftës shënuan një rritje të lehtë të dielën, teksa përplasjet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit hynë në ditën e katërt radhazi.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Irani vazhdon të këmbëngulë për kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me 0.9%, duke arritur në 72.20 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane (WTI) u rrit me 1.3%, në 70.09 dollarë për fuçi.

Të premten, çmimet kishin rënë në nivelet më të ulëta që nga fillimi i konfliktit, me Brent që mbylli tregtimin rreth 72 dollarëve dhe WTI rreth 69 dollarëve për fuçi.

Gjatë javës së kaluar, çmimet e naftës ranë për shkak të shpresave se armëpushimi 60-ditor do të rikthente qarkullimin normal të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugë nga e cila kalon rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë, shkruan CNN.

Pas marrëveshjes së 17 qershorit, trafiku i cisternave u rrit, ndërsa SHBA-ja dhe Irani deklaruan se ngushtica do të rihapej pa tarifa.

Megjithatë, kjo tendencë u ngadalësua pasi Irani goditi një anije në ngushticë të enjten. Si pasojë, edhe Kombet e Bashkuara pezulluan planet për evakuimin e detarëve dhe anijeve të bllokuara në zonë.

Që nga ajo kohë, forcat amerikane dhe ato iraniane kanë shkëmbyer sulme, duke bërë që disa anije cisternë të zgjedhin një itinerar alternativ pranë brigjeve të Omanit për të shmangur rrezikun.

Ekspertët paralajmërojnë se ulja e çmimeve të naftës nuk varet vetëm nga rikthimi i qarkullimit tregtar. Infrastruktura energjetike e dëmtuar duhet të riparohet dhe mund të duhen muaj që transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit të rikthehet plotësisht në normalitet.

Sipas tyre, çmimet mund të mos rikthehen në nivelet e para luftës deri gjatë vitit 2026.

Megjithatë, çmimet aktuale mbeten dukshëm më të ulëta se kulmi i arritur në prill, kur një fuçi naftë kushtonte rreth 126 dollarë.

Kjo ka ndikuar në uljen e kostove për konsumatorët amerikanë, ku çmimi mesatar i një galoni karburant ra në 3.87 dollarë, rreth 13 për qind më pak krahasuar me një muaj më parë.

Ndërkohë, kontratat futures në tregjet amerikane të aksioneve mbetën pothuajse të pandryshuara./reporteri

Read Previous

Kanadaja avancon me gol të minutave shtesë

Read Next

Për 10 vjet numri i studentëve në UP ra për 32 për qind