E vërteta e UÇK-së sipas gjeneralit Wesley Clark

Wesley Clark për UÇK-në: Njerëz që thonin unë kam bërë pjesën time, kam rrezikuar jetën dhe s’të lejoj ty të më thuash çfarë të bëj

Dëshmitari Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se komandantët e zonave lokale ishin pjesë e një ushtrie që nuk ishte e organizuar dhe se nuk kishin nënshtrimin ose respektin ndaj ndonjë autoriteti të caktuar.

Sipas tij, këta persona ishin njerëz që thonin se “unë kam bërë pjesën time, kam rrezikuar jetën time dhe nuk të lejoj ty të më thuash çfarë të bëj”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kuptova se ishte një organizatë në nivel të thjeshtë akoma. Njerëzit, mendoj unë, nuk ishte një ushtri e organizuar që kolonelët t’i jepnin urdhra kapitenëve dhe kapitenët t’i jepnin urdhra togerëve. Këta ishin luftëtarë të organizuar në nivel lokal të cilët ishin mbledhur së bashku për të mbrojtur komunitetin e tyre dhe bashkësinë e tyre dhe dikush nga jashtë po iu ndihmonte atyre që të merrnin armë, dikush ndoshta po iu ndihmonte që të bënin edhe stërvitje, por nuk ka qenë diçka që ka funksionuar së bashku. Përshtypja ime ishte që pasi u fut NATO-ja aty, këta persona në fakt takoheshin me njëri-tjetrin, biseduan dhe nuk kishin nënshtrim ose respektim ndaj ndonjë autoriteti të caktuar. Këta njerëz ishin që thonin unë kam bërë pjesën time, kam rrezikuar jetën time dhe nuk të lejoj ty të me thuash që të bëjë këtë apo atë . Pra, nuk besoj dhe nuk kam besim në këtë”, tha dëshmitari.

Fillimisht, Clark foli për një rast kur gjenerali Mike Jackson në mbledhjen ku ishin komandantët e zonave të cilët po kundërshtonin përpjekjet për të dorëzuar tërësisht armët, i kërkoi atij të bashkohej.

Clark deklaroi se këtë gjë nuk e ka biseduar me Jackson por e dinte se këta komandantë ishin që kishin luftuar individualisht për të mbrojtur popullin e tyre.

“Shqetësimi që ata kishin ishte se populli i tyre ishte keqtrajtuar rëndë dhe kishin qenë viktima të shtypjes. Nuk ishin të sigurt në duhej t’i besonin NATO-s që NATO-ja do i mbronte ata”, shtoi ai.

Clark tha se shqiptarët e kishin edhe këtë përvojë se trupat e KFOR-it në Bosnjë nuk kanë qenë shumë efektive në mbrojtjen e popullit.

Ai tha se Mike Jackson e donte tani dëshmitarin që të shkonte në këtë takim si një garanci shtesë pasi komandantët e zonave e kishin parë në televizor dhe e dinin që ishte komandant suprem.

Clark: S’ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në, s’është e mundur që të ketë hierarki pa qenë në dijeni SHBA

Gjenerali Wesley Clark tha në Hagë se nuk ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në.

Madje, ai mohoi se ka mundësi që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional dhe të mos ishte në dijeni SHBA dhe NATO, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kur u pyet për kontroll civil, dëshmitari u përgjigj me “Jo, nuk ka pasur”.

E më pas, dëshmitari u pyet se a do ishte e mundur për UÇK-në që të kishte një zinxhir komandues funksional dhe të mos e dinin SHBA-të.

“Absolutisht jo”, u përgjigj Wesley Clark.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a ka pasur strukturë politik në Kosovë.

“Unë e dija që zoti Rugova më përpara kishte qenë në burg disa herë, por e dinim që ai kishte një pasues në Kosovë megjithatë e dinim që struktura nuk është efektive. Edhe nëse ekzistonte kjo si fuqi, nuk ishte e lidhur me rezistencën e armatosur. Ishte komplet e veçantë, e ndarë” u përgjigj Clark.

Clark flet për rastin e një godine që menduan se ishte serbe: Aty mbaheshin shqiptarë të ndaluar nga serbët, ishte incident i tmerrshëm

Dëshmitari Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij, tregoi për një incident kur NATO-ja goditi një bazë që pretendohej se ishte e forcave serbe, ndërkohë që aty po mbaheshin shqiptarë të ndaluar.

“Në një rast kemi identifikuar disa automjete serbe rreth një ndërtese që dukej si një seli ose shtab. Ishin automjete rreth e çark kësaj ndërtese. Kishte antena në godinë, kishte komunikime. Personat që punonin për inteligjencën e identifikuan si një godinë serbe dhe u godit dhe pastaj doli që s’ishte fare godinë serbe por serbët aty kishin vendosur shqiptarë dhe ajo ishte një godinë që serbët i kishin futur shqiptarët për t’i ndaluar dhe ishte një incident i tmerrshëm”, tha Clark.

Ai deklaroi se bashkë me njerëzit e tij u ndjenë shumë keq kur zbuluan se çfarë kishte ndodhur.

Clark tha se ky ishte një lloj shembulli se ata si forca s’kishin asnjë lloj informacioni se çfarë po ndodhte në terren.

Clark për UÇK-në: Ishin njerëz të vetorganizuar, ushtria serbe ishte e frikësuar prej tyre

Gjenerali Wesley Clark tha në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një ushtri që përbëhej nga persona të vetorganizuar. Përveç kësaj, ai tha se Ushtria Serbe frikësohej prej tyre.

“Ishte e qartë që bëhej fjalë për grupe të pavarura. Ishin grupe të motivuara, ishin duke luftuar. Ndonjëherë ata kapnin dikë, për shembull; në një pikë ata kapën një rus dhe unë thash që nuk jam i interesuar për këtë gjë. Domethënë me një fjalë nuk kishte mënyra komunikimi, ishin thjesht njerëz të vetorganizuar. Unë nuk kisha asnjë dyshim që Ushtria Serbe ishte e frikësuar prej tyre por nga ana tjetër sa i takon komandës dhe kontrollit ose forcës të koordinuar, asnjëra prej këtyre nuk ekzistonte”, tha Clark.

Megjithatë, ai tha se as komandën dhe as kontrollin nuk e kishte UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne, gjithmonë themi komandë dhe kontroll. Komanda është kompetenca-autoriteti por kontrolli është mënyra për të mbikëqyrur atë, për ta udhëzuar atë dhe për të ndjekur hapat. Me aq sa pamë ne, nuk kishte asnjë prej këtyre elementeve. Ne, kishim disa vëzhgues në kufirin në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndonjëherë ata më thonin që mundoheshin që të mbledhshin informacion- këtu e kam fjalën për persona që i përkisnin forcave speciale të SHBA. As ata nuk patën mundësi të mblidhnin informacion të besueshëm”, tha ai.

Clark: Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak

Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se sipas asaj që kishte parë në Rambuje, Hashim Thaçi nuk ishte komandant ushtarak.

Clark foli për Marrëveshjen e Rambujesë, duke thënë se u pranua vetëm nga pala shqiptare, ndërsa serbët nuk e pranuan. Sipas tij, kjo ishte një bazë për të filluar ata diçka, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“U takova me zotin Thaçi njëherë të dytë përpara se të fillojë fushata bombarduese. Ai ishte një prej personave më me autoritet, ishte më i riu. Më bindësi. Ishe personi që ishte veshur më mirë, ishte personi që kishte flokët në mënyrën më të përshtatshme. Meqë e kuptova, ai kishte jetuar në Zvicër, fliste gjermanisht. Nuk fliste shumë anglishte asokohe. Unë nuk flisja shumë gjermanisht dhe ishte e vështirë që të komunikonim me njëri-tjetrin. Por, ai nuk ishte komandanti ushtarak”, tha Clark.

Clark tha se kur u takua me Thaçin herën e tretë, i kërkoi ndihmë. Por, sipas tij, Thaçi nuk e ndihmoi pasi që nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte.

Dëshmitari Clark pohoi se Thaçi nuk e ndihmoi për të identifikuar objektivat dhe që nuk e kishte as idenë bazike të operacioneve ushtarake.

Clark për UÇK-në: Bëhej fjalë për grupe lokale që ishin formuar spontanisht si përgjigje ndaj shtypjes serbe

Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se më 1998-ën kishin shumë pak informacion për UÇK-në. Ai tha se e dinin që bëhej fjalë për grupe lokale që ishin formuar më shumë në mënyrë spontane si përgjigje ndaj shtypjes serbe.

“Nuk kishte shumë informacion. Nuk kishte shumë gjëra për të folur sa i takon komandës. Sa e dinim ne, bëhej fjalë për grupe lokale që ishin formuar pak a shumë në mënyrë spontane në përgjigje të shtypjes serbe në shumë e shumë vitesh”, tha Clark, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Clark tha se këto grupe u formuan më së shumti pas vrasjes së familjes Jashari, e cila u bë si alarm i përgjithshëm se gjëra negative do të ndodhnin.

“Në veçanti, pas vrasjes së familjes Jashari, gjithmonë e më tepër filloi të krijohej një alarm i përgjithshëm që do të kishte zhvillime negative dhe gjithnjë e më tepër njerëzit po i formonin këto grupe lokale. Kaq dinim”, tha ai.

Clark po ashtu tregoi se më shumë informacione për UÇK-në kishte marrë nga ana serbe pasi ata krijonin edhe harta duke i identifikuar, të ashtuquajturat sipas tyre, pika terroriste.

Megjithatë, gjenerali Clark tha se këta persona ishin familjarë që po përpiqeshin të mbronin veten dhe familjen e tyre.

“Unë sigurisht më shumë kam marrë informacion për UÇK-në nga serbët sesa kam marrë nga forcat tona. Serbët kishin pika të identifikuara në hartë që i kishin identifikuar si të ashtuquajtura pika terroriste. Domethënë ata po mundoheshin që të mblidheshin informacion lidhur me ato. Sigurisht që pjesa më e madhe e këtyre grupeve ishin persona që kishin shtëpi dhe familje të tyre që po mundoheshin të kishin jetën e tyre por nga ana tjetër po përpiqeshin që të mbronin veten dhe familjen”, tha Clark.

Mbrojtja: Clark beson se është e padrejtë që gabimet e të tjerëve t’i atribuohen Thaçit

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha në Hagë se dëshmitari Wesley Clark beson se është e padrejtë që gabimet e të tjerëve t’i atribuohen Thaçit.

“Bazuar në përgjegjësinë e përgjithshme të Gjenerali Clark dhe konstatimet e tij të drejtpërdrejta, ai beson që është e padrejtë t’i atribuohen gabimet e të tjerëve zotit Thaçi”, tha avokati Mishetiq gjatë leximit të përmbledhjes së dëshmisë për këtë dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mishetiq i cili filloi i pari pyetjet për Clark, tha se ai është gjeneral i dekoruar në SHBA e që ka shërbyer si komandant i forcave aleate në Evropë.

Mishetiq tha se Clark ka qenë në dijeni për dhunën në verën e 1999-ës në Kosovë dhe këtë ua atribuon shumë faktorëve.

“Gjenerali Clark dëshmon se askush në zinxhirin hierarkik të NATO-s nuk mendoi se do të vazhdojë konflikti i armatosur pas qershorit 1999. Po ashtu, do të përshkruajë se ka qenë në dijeni për valën e dhunës në verën e 1999-ës pas kthimit të refugjatëve në Kosovë në vendin e tyre dhe ua atribuon dhunën faktorëve të ndryshëm përfshirë; urrejtjen, hakmarrje, gjakmarrjen dhe bandat kriminale”, tha Mishetiq.

Avokati tha se gjenerali Clark nuk beson që udhëheqja e UÇK-së ka qenë e angazhuar në këto akte dhune e po ashtu as Thaçi veçanërisht s’ka pasur motiv ta bëjë një gjë të tillë.

“Gjenerali Clark nuk beso që udhëheqja e UÇK-së ka qenë e angazhuar në këto akte dhunë kundër serbëve apo kundër pakicave si dhe as zoti Thaçi nuk ka pasur konkretisht motiv për t’u përfshirë në veprimtari të tilla. Së fundi, gjenerali Clark do të përshkruajë komunikimet e ndryshme që ka pasur me UÇK-në, delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje dhe konkretisht me zotin Thaçin”, tha ai.

Përveç kësaj, sipas Mishetiq, Clark do të tregojë se në UÇK s’ka pasur organizim për hierarki nga poshtë-lart dhe se Thaçi ka qenë vetëm një figurë politike pa përvojë ushtarake

“Ai do të tregojë se nuk e ka parë UÇK-në si një organizatë të strukturuar mirë me funksionin nga lart-poshtë apo të kishte strukturë komande dhe kontrolli. Ai po ashtu ka parë se mungonte kontrolli në fakt dhe zoti Thaçi nuk kishte kontroll brenda UÇK-së dhe se ai ka qenë thjesht një figurë politike pa përvojë ushtarake dhe që kishte influencë të kufizuar ndaj ushtarëve të UÇK-së”, tha ai.

Sipas Mishetiq, Clark do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për zbatimin e marrëveshjeve që ka pasur lidhje me konfliktin në Kosovë.

“Gjenerali Clark do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për të zbatuar marrëveshjen Holbrooke dhe Millosheviq nga tetori i 1998-ës dhe për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 119. Do të flasë për fushatën ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, dislokimin e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake dhe rezolutën e OKB-së 1244 dhe për procesin e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së”, tha avokati.

Wesley Clark nis dëshminë

Në Dhomat e Specializuar të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën ka filluar dëshminë gjenerali, Wesley Clark në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar mban kodin 1DW-007 në këtë proces gjyqësor dhe është së bashku me përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA-së në gjykatë pasi që është dëshmitarë për të cilin ka dhënë autorizim SHBA, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pra, bashkë me Clark është në gjykatore edhe Terra Gerhersanem- përfaqësuesja e SHBA-së.

Parprakisht, trupi gjykues njoftoi se mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar urgjentisht ndryshimin e listës së provave materiale. Prokuroria s’e kishte ndryshuar këtë, për rrjedhojë kërkesa u pranua.

Dëshmia e ish-komandantit suprem të forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, pritet të zgjasë deri të mërkurën më 19 nëntor 2025, e që pas saj do të mbahet edhe një konferencë për ecurinë e çështjes.

Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Guardiola: Barcelona më dha gjithçka si lojtar dhe trajner

Read Next

Gashi: Zgjedhjet janë të domosdoshme për t’i kthyer vendit normalitetin institucional