Chollet i kërkon Kurtit ta pranojë propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë

Zyrtari amerikan Derek Chollet ka biseduar përmes telefonit me Kurtin, të cilit i ka kërkuar të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Këshilltari në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, ka bërë të ditur se ka biseduar sonte me kryeministrin Albin Kurti.

Chollet përmes një postimi në Twitter i ka kërkuar Kurtit që Kosova ta pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

”Sot fola me Albin Kurtin për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Ndër temat kryesore ishte edhe partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet.

“Ne diskutuam gjithashtu për rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në kontekstin e Dialogut me Serbinë dhe nevojën që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”, ka shkruar Chollet.

Read Previous

Parashikimi i motit

Read Next

Takimet me zyrtarë nga shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, Lajçak e njofton edhe Greqinë për dialogun