Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë sae diskutoi për garantuesit e sigurisë me kryeministrin britanik Sir Keir Starmer gjatë takimit të tyre në Downing Street, shkruan BBC.
Dyshja mbajtën një takim para samitit jetik të së premtes në Alaskë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin ku do të diskutohet fundi i luftës në Ukrainë.
Sir Keir tha se beson që ka një “shans të mundshëm” armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës si dhe theksoi që “integriteti territorial” i kësaj të fundit duhet të mbrohet dhe kufijtë ndërkombëtarë “nuk duhen ndryshuar me forcë”.
Zelensky dhe liderë të tjerë që nuk do të marrin pjesë në takimin në Alaskë, morën pjesë në një telefonatë me Trump të mërkurën për të shprehur sërish qëndrimin e tyre.
Gjatë mbërritjes së presidentit ukrainas në No.10, u shtrua një tapet i kuq dhe ai u fotografua duke shëtitur në kopshtin e trëndafilave me kryeministrin, një shprehje mbështetjeje e bashkëorganizuar me kujdes nga Mbretëria e Bashkuar, vetëm 24 orë para takimit në Alaskë.
Asnjëri prej tyre nuk dha komente për gazetarët, por Zelensky postoi në rrjetet sociale duke falënderuar kryeministrin britanik për mbështetjen e tij në “takimin e mirë, produktiv”.
“Ne gjithashtu diskutuam në detaje mbi garantuesit e sigurisë që mund ta bëjnë paqen vërtet të qëndrueshme nëse Shtetet e Bashkuara ia dalin të shtyjnë Rusinë që të ndalë vrasjet dhe të angazhohet në diplomaci të vërtetë, thelbësore. Është e rëndësishme që brenda kornizave të Koalicionit të Vullnetarëve, ne të gjithë duhet të mundemi të arrijmë formate efikase për bashkëveprimin e sigurisë.”
Zelensky shtoi edhe dy bashkëpunimet e diskutuara për armët, përfshirë investimet në prodhimin e dronnëve dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit Njëqindvjeçar me Britaninë, i cili pritet të ratifikohet këtë muaj./tvklan.al