Cauchard: Nëse Serbia refuzon planin evropian për dialogun do ketë pasoja

Ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cauchard, është pyetur për “dënimin” që e pret Serbinë nëse e refuzon propozimin evropian për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën, por ky i fundit ka theksuar se nuk do të kenë qasje ndëshkuese ndaj Serbisë, por “pasoja po”.

“Unë nuk jam pjesëmarrës në negociata, nuk po flasim për sanksione dhe shantazhe. Ne paraqesim vetëm avantazhe dhe përfitime nëse të dyja palët bien dakord, përndryshe do të ketë pasoja, por këto nuk janë sanksione, por një mundësi për përparimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit”, pohon Cauchard në TV Prva.

Ai ka theksuar se nuk i di detajet e planit evropian, derisa ka shtuar se ai dokument ka për qëllim tejkalimin e konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne duam t’i japim një dinamikë të re dialogut. Normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është qëllimi dhe ne duam ta përshpejtojmë atë”, shtoi ai.

Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se “do kemi tri dënime të forta po s’e pranuam propozimin”.

Ndryshe, Vuçiç ka theksuar se “pesëshja e madhe” e diplomatëve që e vizituan i kanë thënë se “duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: Numri një – ndërprerje e procesit integrues në Evropë. Nën dy – me ndalim dhe tërheqjen e investimeve. Nën tre – Me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”.

Siç e shpjegoi Vuçiç para mediave, pesë diplomatët qysh në fjalinë e dytë i kanë thënë se “plani duhet pranuar”.

“Në fjalinë e dytë që më është komunikuar është thënë – duhet ta pranoni këtë plan”.

Më pas, shtoi presidenti serb, “tre herë të tjera është përmendur e njëjta gjë gjatë takimit”.

Ai shtoi se ka pranuar që t’i vazhdojë bisedimet në Bruksel, sepse “Serbia nuk duhet të mbetet e izoluar”. /Albanianpost.com

Read Previous

Microsoft konfirmon se po investon miliarda në krijuesin e ChatGPT

Read Next

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve