Bytyqi-Sefa: ATK-ja ka mbyllur veprimtarinë e 20 bizneseve

Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa në një prononcim për KosovaPress thekson se numri i bizneseve, të cilat janë hapur në vitin 2023 është mbi 20 mijë, ndërsa 20 të tjera kanë përmbyllur veprimtarinë.

Bytyqi-Sefa potencon se janë hapur rreth dy mijë biznese që aktivitet primar e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, ndërkaq nga po e njëjta veprimtari janë mbyllur shtatë biznese.

Ajo vlerëson se procesi i hapjes së një biznesi është i thjeshtë, ndërkaq për të mbyllur duhet plotësuar disa kritere dhe të gjitha obligimet ndaj ATK-së.

“Numri i bizneseve, të cilat janë hapur në vitin 2023, vitin që po e lëmë pas, është 21 mijë e 156 sosh, për dallim nga ato të cilat kanë kërkuar të shuajnë aktivitetin e tyre, ku janë 20 biznese të cilave, është arritur të mbyllet veprimtaria e tyre… Sipas statistikave, të cilat kemi siguruar, bizneset të cilat kanë kërkuar që të hapen në vitin që lamë pas janë në sektorin ose aktivitet primar që kanë tregtia me shumicës dhe pakicë, që janë diku 2 mijë 722 biznese që janë hapur te kjo veprimtari. Ndërsa, te bizneset, të cilat janë mbyllur vitin që e lamë pas, kemi diku shtatë biznese, të cilat kanë kërkuar të mbyllen nga e njëjta veprimtari, nga veprimtaria e tregtisë me shumicë dhe pakicë… Sigurisht, procedurat e hapjes së një biznesi janë shumë më të thjeshta dhe nuk kanë shumë përgjegjësi ndaj shtetit, ligji nuk obligon shumë në pjesën e hapjes. Mirëpo, sa i përket pjesës së procedurës kur një biznes duhet të mbyllet, janë procedura të tjera, të cilat i parasheh për Administratën Tatimore dhe procedurat. Asnjë biznes nuk mund të mbyllet nëse nuk i plotëson të gjitha kriteret, të cilat thirren në nenet e përcaktuara nga ky ligj, pasi fillimisht biznesi duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet, detyrimet që i ka ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”, thotë Bytyqi-Sefa. /KosovaPress/

Read Previous

Falimentojnë rreth 1500 biznese gjatë 2023-ës në Kosovë

Read Next

Ligji për zgjedhjet, kërkohet harmonizim për barazi gjinore