Burgim të përjetshëm për dy terroristët e “Banjskës”, 30 vjet për të tretin

Prishtinë – Tre të akuzuarit në rastin “Banjska”, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, janë shpallur fajtorë derisa Maksimoviq dhe Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm kurse Maksimoviq me 30 vite burgim për përfshirjen e tyre në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, në përbërje me anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli, rapoton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi i gjykatës vjen pasi familja e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, si dhe prokurori special, Naim Abazi, kishin kërkuar dënimin maksimal në fjalët përfundimtare.

Më 20 prill, mbrojtja në rastin “Banjska” kishte mohuar përfshirjen e tre të akuzuarve në planin për shkëputjen e një pjese të Kosovës.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, ishte mbajtur më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Udhëheqësi i Listës “Srpska”, Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Kurti me homazhe për nder të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, por çka shkroi ai në librin e zisë?

Read Next

Tronditet Gjakova, humb jetën një person në vendin e punës