Britania shkurton ndihmën për Ballkanin Perëndimor

Qeveria britanike ka vendosur të reduktojë me 40% fondet e destinuara për të luftuar agresionin dhe dezinformimin rus në Ballkanin Perëndimor, një rajon që kryeministri Keir Starmer e ka cilësuar si jetik për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

Financimi përmes Fondit të Sigurisë së Integruar (ISF) do të bjerë nga 40 milion paund vitin e kaluar në vetëm 24 milion paund për periudhën 2025-26. Kjo ulje lidhet me politikën e re të Starmer për reduktimin e Ndihmës Zyrtare për Zhvillim (ODA) për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke synuar që deri në vitin 2027 ODA të ulet nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare bruto.

Kështu, ky vendim përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përshkruar nga Starmer si “provë e Evropës, ku vihet në test siguria e kontinentit”.

Fondi i Sigurisë së Integruar (ISF) është krijuar për të adresuar kërcënimet më prioritare ndaj sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar brenda dhe jashtë vendit. Vitin e kaluar fondet e ISF-së u përdorën për të kundërshtuar sulme kibernetike dhe për të forcuar median e pavarur e institucionet demokratike.

ODA e dedikuar për Ballkanin Perëndimor është ulur nga 31.91 milion paund në 2024-25 në 17 milion paund për 2025-26. Zyra e Kabinetit raportoi gjithashtu një ulje prej 1.15 milion paund në financimin “jo-ODA” për rajonin.

The Guardian shkruan se vendimi ka ngjallur kritika nga ekspertë dhe politikanë britanikë. Emily Thornberry, kryetare e komitetit parlamentar për punët e jashtme, paralajmëroi se rajoni është në vijën e parë të betejës kundër dezinformimit rus.

“Vizitova Ballkanin Perëndimor këtë muaj. Është e qartë se ata janë në vijën e parë të betejës kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes ruse, dhe jam krenare për punën që Mbretëria e Bashkuar po bën për t’i mbështetur. Nevojitet më shumë mbështetje për median e pavarur, jo më pak.”, tha ajo.

Edhe organizatat joqeveritare kanë shprehur shqetësim. Dr Kate Ferguson nga Protection Approaches tha se Britania ka ndërtuar një reputacion si lider i besueshëm në rajon dhe kjo nuk duhet të minohet tani. Shelagh Daley nga Saferëorld shtoi se shkurtimet tregojnë një zhvendosje të qeverisë drejt uljes së prioriteteve për parandalimin e konflikteve, në një kohë kur rreziqet globale janë në rritje.

Kreu i ri i MI6, Blaise Metreëeli, paralajmëroi këtë javë se Britania ndodhet “mes paqes dhe luftës”, duke e përshkruar Rusinë si “agresive, ekspansioniste dhe revizioniste”.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se shifrat e raportuara përfaqësojnë vetëm një pjesë të investimeve të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor dhe se ISF është i dizajnuar të përshtatet me prioritetet më të fundit të sigurisë kombëtare. /tvklan.al

Read Previous

“Njeri me para misterioze” – kush ishte Jeffrey Epstein?

Read Next

Rubio për Ukrainë-Rusi: Kjo nuk është lufta jonë, kjo është një luftë në një kontinent tjetër