AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
Kryeministri britanik Keir Starmer ka sinjalizuar se Mbretëria e Bashkuar mund të rishqyrtojë pjesëmarrjen në fondin evropian të mbrojtjes, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Starmer deklaroi se Britania duhet “të bëjë më shumë së bashku” me BE-në, përfshirë edhe përmes nismës SAFE (Security Action for Europe), të cilës Londra ende nuk i është bashkuar.
Komentet e tij vijnë pasi bisedimet e vitit të kaluar për qasjen e Britanisë në programin evropian prej 150 miliardë eurosh për riarmatimin dështuan për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kontributin financiar të Londrës.
“Në aspektin e kostove, kapaciteteve dhe bashkëpunimit, ne duhet të bashkëpunojmë më shumë”, tha Starmer, duke shtuar se qeveria britanike është e hapur për të studiuar programe si SAFE për të parë nëse ekzistojnë forma më të afërta bashkëpunimi.
Nisma SAFE synon t’u ofrojë vendeve të BE-së kredi me interesa më të ulëta për forcimin e kapaciteteve ushtarake.
Londra dhe Brukseli kanë debatuar për muaj të tërë mbi madhësinë e kontributit britanik, pa arritur një marrëveshje.
Pas refuzimit të kërkesës fillestare të Komisionit Evropian për 6.75 miliardë euro, shuma u ul në 2 miliardë euro, por kjo mbetet ende më e lartë se sa Britania është e gatshme të paguajë.
Dështimi i marrëveshjes u konsiderua një goditje për përpjekjet e Starmer për të riparuar marrëdhëniet me BE-në pas Brexit, me synimin për të nxitur ekonominë britanike.
Megjithatë, në maj të vitit të kaluar, Londra dhe Brukseli nënshkruan një partneritet strategjik, që përfshin thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe masa për lehtësimin e tregtisë.
Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maros Šefčovych, pritet të mbërrijë në Londër të hënën për takime me disa ministra britanikë, në prag të samitit të ardhshëm dypalësh që do të mbahet më vonë këtë vit.
Sipas mediave, Gjermania po shtyn për hapjen e rrugës për përfshirjen e Britanisë në iniciativën SAFE. /Albanianpost.com