Bloomberg: Evropa e papërgatitur për kërcënimin e luftës me dronë

Evropa mbetet e papërgatitur për t’u përballur me kërcënimet moderne që vijnë nga sistemet pa pilot, pavarësisht se lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë.

Kështu vlerëson Bloomberg, duke iu referuar incidentit të fundit në Rumani, ku një dron rus u rrëzua mbi një ndërtesë banimi më 29 maj.

Sipas agjencisë amerikane, ngjarja ka nxjerrë në pah mangësitë e vendeve evropiane në përballjen me format e reja të luftës ajrore që po shfaqen në kufijtë e NATO-s.

Ish-zëvendës sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoană, kritikoi mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme mbrojtëse në Rumani dhe në të gjithë krahun lindor të Aleancës.

“Niveli i pamjaftueshëm i sistemeve të zbulimit dhe të interceptimit”, shkroi Geoană në Facebook, duke shtuar se vonesat në nxjerrjen e mësimeve nga lufta në Ukrainë kanë krijuar dobësi serioze.

“Vonesat në nxjerrjen e mësimeve gjatë katër viteve të fundit dhe mungesa e pajisjeve ushtarake e teknologjike krijojnë një cenueshmëri që duhet eliminuar pa vonesë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel aleat”, deklaroi ai.

Bloomberg thekson se incidentet me dronë në krahun lindor të NATO-s janë bërë pothuajse rutinë që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës në vitin 2022.

Vetëm Rumania ka regjistruar 47 incidente të tilla gjatë kësaj periudhe, ndërsa Polonia aktivizoi konsultimet sipas Nenit 4 të NATO-s pasi më shumë se një duzinë dronësh kaluan kufirin e saj.

Një nga sfidat kryesore lidhet me faktin se dronët që fluturojnë në lartësi të ulët mund t’i shmangen radarëve tradicionalë.

Në të njëjtën kohë, përdorimi i avionëve luftarakë apo raketave tokë-ajër kundër objektivave të tillë mbetet i kushtueshëm dhe jo gjithmonë efektiv.

Përballë këtij realiteti, vendet e Evropës Lindore dhe të krahut lindor të NATO-s po përshpejtojnë investimet në sisteme kundër dronëve.

Sipas Bloomberg, prioritet po marrin radarët e rinj, sistemet e zbulimit, dronët interceptues dhe pajisjet e luftës elektronike, të cilat konsiderohen thelbësore për t’u përballur me kërcënimet që po transformojnë fushën moderne të betejës. /Albanianpost.com

Read Previous

Wadephul: Avancimi i Izraelit në Liban, shkak për shqetësim të madh

Read Next

Protesta në Zvërnec, iu hiqet licensa dy subjekteve të kontraktuara për sigurinë fizike të pronës