Bizneset ankohen për vonesat në trajtimin e rasteve në Gjykatën Komerciale

Problemet e bizneseve me procedurat e përmbarimit, numri i ulët i gjykatësve si dhe vonesat në trajtim të rasteve në Gjykatën Komerciale ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Zana Beqiri, drejtore e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë falënderoi zëvendësministrin Sallahu për takimin dhe theksoi që një ndër ankesat e cila ka të bëjë me mos funksionimin e përmbaruesve si rrjedhojë e mundësisë së ankesës në Gjykatë nga ana e bizneseve, ani pse ekziston si dëshmi kontrata dhe fatura e rregullt e nënshkruar nga po ata, njofton zyra për informime e DHTIK-ut.

Ndërsa sipas Mazllum Baraliu, Konsulent në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, vlerë e shtuar për DHTIK është komuniteti i bizneseve që ajo përfaqëson, prandaj është mëse e nevojshme që të përfshihet në grupet punuese për Projektligjin për Përmbarim, ashtu që në draftin final të merren në konsideratë dhe të përfshihen edhe komentet e bizneseve vendore.

“Ai tutje shtoi që Dhoma e Tregtisë që në fazën e hartimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale ka rekomanduar që duhet të parashihet numër më i madh i gjykatësve, mungesa e të cilëve sot po ndikon që lëndët e kësaj Gjykate të kenë dinamikë të ulët të trajtimit”, thuhet në njoftimin e DHTIK-ut.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi që bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet që draftet finale të ligjeve të jenë gjithë përfshirëse. Sipas Zëvendësministrit Sallahu, Ministria e Drejtësisë është duke trajtuar këto çështje, me theks të veçantë problemin e përmbaruesve, ndërsa për rastet e shumta dhe të pa trajtuara në Gjykatën Komerciale shtoi që aktualisht është duke u finalizuar Ligji për Gjykatën Administrative e që në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e rasteve të Gjykatës Komerciale. /RTKlive/

Read Previous

Betohen 10 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë

Read Next

Të enjten Kuvendi mban seancë