Bie besimi në ekonomi, çmimet demoralizojnë konsumatorët dhe bizneset

Besimi në ekonomi po bie, teksa rritja e çmimeve ka nisur të shfaqë më hapur impaktin negativ tek bizneset. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë shfaq një përkeqësim të treguesit të ndjesisë ekonomike, me të gjithë sektorët më pesimistë për ecurinë e tyre.

Konsumatorët nga ana tjetër, po e shohin gjendjen e tyre financiare të rëndohet muaj pas muaji, që prej nisjes së këtij viti dhe presin përkeqësim edhe në të ardhmen e afërt. Kjo po i shtyn buxhetet e tyre të shkojnë më shumë drejt shpenzimeve bazë dhe të shmangin ato joprioritare, pa asnjë mundësi për kursim.

Për rrjedhojë, bizneset në fushën e shërbimeve po e vuajnë më shumë rënien e kërkesës, dukshëm si çadrat bosh në një pjesë të madhe të plazheve në vend gjatë muajit Korrik. Shërbimet ishin sektori më rënien më të fortë të besimit, sipas Bankës së Shqipërisë, ndërsa anketa zbulon se parashikohet rritja e vazhdueshme e çmimeve.

Shtrenjtimi do të vazhdojë edhe për mallrat, sipas asaj që raportojnë tregtarët, edhe pse me impakt të lehtë në ecurinë e aktivitetit të tyre.

E njëjta situatë edhe për industrinë, që shpëtimin e sheh vetëm tek eksportet. Kontratat porositëse nga jashtë kanë qenë në rritje të vazhdueshme gjatë këtij viti, fakt që do të mundësojë rritjen e prodhimit dhe punësimit.

Ndërsa në ndërtim, situata aktuale përkthehet në një rënie të besimit për aktivitetin ndërtues dhe një frenim të lehtë të çmimeve./A2news/

Read Previous

Dy të vdekur dhe 952 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Read Next

Tottenham “mbyll” nënshkrimin me mbrojtësin e Udinese-s