Besian Mustafa: Qëndrimi i LDK-së është ai që ka qenë gjithnjë

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa tha se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar duke potencuar se nuk do të votojnë për asnjë kandidat të partive, me të cilat nuk kanë marrëveshje politike.

Mustafa tha se mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do të mund të bëjë kompromis me partitë e tjera parlamentare për të proceduar më tutje në kuvendin e Kosovës

“Qëndrimi i LDK-së është ai që ka qenë gjithnjë. LDK nuk voton ndonjë kandidat me të cilin, ose me partinë që nuk ka një marrëveshje politike paraprake…Do të shohim nëse Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që të gjejë një kompromis një rrugë të përbashkët me partitë tjera parlamentare për të proceduar kuvendin, për të votuar kryetarin dhe kryesinë e kuvendit”, tha Mustafa.

Deputeti Besian Mustafa tha se vetëm ata që kanë mbetur gjithmonë besnikë ndaj LDK-së kanë të drejtë të quhen LDK-istë apo rugovistë.

Këtë e tha Mustafa pasi u pyet nga gazetarët lidhur me deklarimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, ku ka kritikuar paritë opozitare për mos votimin e Donika Gërvalles për kryeparlamentare.

“Të vetmit që kanë të drejtën politike, morale dhe çfarëdo tjetër që ta thërrasin LDK-istë dhe rugovistë janë ata që i kanë qëndruar besnik LDK-së dhe askujt tjetër”, potencoi Mustafa.

Pas 3 javësh, të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në seancën e 20 gushtit ashtu siç e kërkoi aktgjykimi I Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike votimi për kryekuvendar u bë me votim të hapur, dhe Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra nuk mori 61 votat për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Pas këtyre dy dështimeve kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën e cila do të vazhdoj sot nga ora 11:00.

Të hënën Gjykata Kushtetuese e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. /KosovaPress/

Read Previous

Policia shqipton rreth 2 mijë e 500 gjoba trafiku

Read Next

Administrata e Trumpit po rishikon 55 milionë të huajt me viza amerikane