INSTAT: 26,738 mjete të reja u regjistruan në tremujorin e dytë në Shqipëri
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti sot thirrjen për mbështetjen e protestës qytetare, të cilën e cilësoi si “lëvizjen qytetare më të fuqishme dhe më jetëgjatë të kontinentit”.
Gjatë një deklarate për mediet, Berisha tha se protestuesit me sakrificën dhe qëndresën e treguar, përfaqësojnë zërin e ndërgjegjes së një shoqërie të dhunuar dhe të shtypur, si edhe mbrojtjen e interesit kombëtar.
Sipas kreut të PD-së, protesta që zhvillohet çdo natë është një thirrje për çdo shqiptar që e do vendin, duke e konsideruar atë një simbol të luftës për liri, dinjitet njerëzor dhe kombëtar.
“Protesta që zgjat çdo orë është një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do Shqipërinë, është një thirrje në ndërgjegjen e çdo të riu, e çdo të moshuari, e çdo vajze, nëne, motre, e çdo burri, djali të mbështesim këtë protestë që bën krenarë shqiptarët në mbarë botën.
“Ata të rinj, ata qytetarë që protestojnë çdo natë me orë të tëra, në të vërtetë janë zëri i ndërgjegjes të një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur. Janë zëri i ndërgjegjes së interesit kombëtar. Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë qytetare dhe rinore për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje demokratëve, mbështetësve të Partisë Demokratike, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që ta mbështesin protestën.
“Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës të PD, por edhe çdo qytetar shqiptar në Shqipëri dhe në botë, kudo që ndodhen, të mbështesin me të gjithë mundësitë e tyre këtë protestë që bën krenar çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet njerëzor”, tha ai. /ATSH/