Berisha kërkon mocion me debat me Ramën: Të plotësohen kërkesat e protestuesve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se parlamenti duhet të fokusohet te kërkesat e protestuesve, të cilat i cilësoi si legjitime dhe në interes të të rinjve shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se protestat e zhvilluara prej ditësh nga të rinjtë përfaqësojnë një përpjekje për të mbrojtur të ardhmen e vendit, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore.

Sipas tij, Kuvendi duhet të lërë mënjanë çdo çështje tjetër dhe të trajtojë me përparësi kërkesat e protestuesve.

“Kërkoj urgjentisht mocion me debat me kreun tuaj. Kërkoj që parlamenti të ketë në axhendë të vetmen çështje, kërkesat që janë absolutisht legjitime”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se dëgjimi i zërit të protestuesve është një domosdoshmëri, duke paralajmëruar se injorimi i tyre do të përbënte, sipas tij, një gabim historik.

Berisha i bëri thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi që të rikthejë në qendër të agjendës parlamentare debatin mbi kërkesat e protestuesve dhe zhvillimet që lidhen me to. /ATSH/

Read Previous

Gjermania dhe Zvicra dominuan votimin jashtë Kosovës

Read Next

Balla: Investimi prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec do të realizohet