Berger: Është koha e fundit për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Miguel Berger (Regionalbeauftragter für Nah- und Mittelost und Maghreb im Auswärtigen Amt, Berlin), Foto: www.stephan-roehl.de

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën [siç ka kërkuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti] nuk mund të jetë parakusht për bisedime [me Serbinë], sepse sipas tij, nuk do të ketë as bisedime. Ai thotë se për sukses në dialog nevojiten kompromise të dhimbshme.

Diplomati gjerman thotë se “është koha e fundit për përfundimin e “konfliktit” mes Kosovës dhe Serbisë. Mungesa e përparimit ndikon në zhvillimin dhe stabilitetin e të dy vendeve dhe të gjithë rajonit”, tha Berger, për DW në gjuhën serbe.

Ai thekson se i dërguari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell kanë mbështetjen e plotë të Berlinit.

“Ata po bëjnë pikërisht atë që duhet të bëjnë: po i bashkojnë të dy palët në bisedime”.

“Në fund, do të nevojiten kompromise të dhimbshme në mënyrë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe obligative të dalë nga negociatat, e cila u mundëson të dy vendeve të bashkohen me BE në të ardhmen”, tha Berger

I pyetur në lidhje me deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili vendosi si kusht për bisedime ballafaqimin me të kaluarën, Berger tha se është një supozim i rëndësishëm që të gjitha palët të përballen me përgjegjësinë e tyre, dhe se pajtimi vetëm ashtu është i mundur.

“Por ballafaqimi me të kaluarën nuk duhet të jetë parakusht për dialog, përndryshe nuk do të ketë bisedime. Nga pikëpamja ime, është se një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë ballafaqimin me të kaluarën”, shtoi diplomati gjerman.

Bashkimi Evropian mbetet “partneri më i afërt dhe më i besueshëm” i Ballkanit Perëndimor, shton Sekretari i Shtetit Berger. Ai kujton paketën e investimeve prej nëntë miliardë eurosh që BE planifikon për zhvillimin në rajon, veçanërisht në lidhje me reformën mjedisore dhe digjitale, por ai la përshtypje të përziera nga vizita e tij e fundit në rajon. “Ekziston një zhgënjim i caktuar, por gjithashtu pashë afërsi dhe interes të madh për BE -në. Por ne, BE -ja, duhet ta bëjmë të qartë se jemi seriozë kur flasim për rrugën drejt BE -së. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur “, tha Berger për DW.

I pyetur nëse tregu i përbashkët i rajonit, i mbështetur në BE, mund të jetë një hap i përshtatshëm i ndërmjetëm, ai tha se “Qeveria gjermane e sheh të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjidhjet e ndërmjetme të propozuara nuk janë zgjidhjet e duhura dhe as autoritetet dhe as njerëzit në rajon nuk i duan ato. Në të njëjtën kohë, ne shohim potencial të madh për rajonin në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Përparimi në këtë fushë, siç është ndërtimi i një tregu të përbashkët rajonal deri në vitin 2024, mbështet rrugën e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE -së”, tha Berger.

Ai përkujton se një treg i përbashkët dhe njohja reciproke e diplomave u dakordua në samitet e Procesit të Berlinit dhe e quan atë një kusht të rëndësishëm që plani i investimeve evropiane të zbatohet.

Berger edhe një herë theksoi se Berlini zyrtar mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal (Common Regional Market – CRM), i paraqitur si një alternativë ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, e cila u nis nga udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore me emrin e punës “Mini- Schengen”. 

/Telegrafi/

Read Previous

Zbulohet kontrata e Messit me PSG-në

Read Next

Dy futbollistët më të shtrenjtë në Superligë i takojnë Prishtinës