BE-ja në lëvizje për të kontrolluar tregun e kriptovalutave

BE-ja ka lëvizur për të frenuar “perëndimin e egër” të aseteve të kriptove, duke rënë dakord për një grup rregullash novatore për sektorin.

Përfaqësuesit nga Parlamenti Evropian dhe shtetet e BE-së të enjten përmbyllën një marrëveshje, nëpërmjet të cilës jepen masa për t’u mbrojtur kundër abuzimit dhe manipulimit të tregut, si dhe shtrohet kërkesa që firmat e kriptove të japin detaje mbi asetet e tyre.

“Sot, ne vendosëm rendin në perëndimin e egër të aseteve kripto dhe vendosëm rregulla të qarta për një treg të harmonizuar”, tha Stefan Berger, eurodeputeti gjerman, i cili udhëhoqi negociatat në emër të parlamentit.

Parlamenti Evropian

Duke iu referuar rënies së fundit të çmimeve të kriptomonedhave – vlera totale e tregut ka rënë nga 3 trilionë dollarë vitin e kaluar, në më pak se 900 miliardë dollarë.

“Rënia e fundit e vlerës së monedhave digjitale na tregon se sa shumë të rrezikshme dhe spekulative janë dhe se është thelbësore të veprohet”, vijoi Berger.

Ligji për tregjet e aseteve kripto (MiCA) pritet të hyjë në fuqi rreth fundit të vitit 2023.

Globalisht, asetet e kriptove janë kryesisht të parregulluara, ku operatorëve kombëtarë në BE u kërkohet vetëm të tregojnë kontrolle për të luftuar pastrimin e parave.

Ligji MiCA pritet gjithashtu të vendosë një pikë referimi për regjimet e tjera rregullatore për kripto-mat në mbarë botën.

Mbështetësit e sektorit të kriptove kanë thënë se ai përfaqëson një investim të mirë, sepse, për shembull, mbart tarifa të ulëta dhe, ndryshe nga monedhat konvencionale, nuk është i lidhur me qeveritë.

Megjithatë, kritikuesit e tij thonë se mungesa e mbikëqyrjes rregullatore ose mbështetja e nënkuptuar e qeverisë, për shkak të origjinës së pavarur të kriptos dhe bitcoin-it, e bëjnë atë të ndjeshëm ndaj mashtrimeve dhe luhatjeve të egra të çmimeve.

MiCA do të jetë regjimi i parë gjithëpërfshirës për asetet kripto në botë dhe do të përmbajë masa të forta për t’u mbrojtur nga abuzimi dhe manipulimi i tregut, shtoi Ernest Urtasun, eurodeputet i Partisë së Gjelbër.

Ligji i ri u jep emetuesve të aseteve kripto dhe ofruesve të shërbimeve përkatëse një “pasaportë” për t’u shërbyer klientëve në të gjithë BE-në nga një bazë e vetme, duke përmbushur rregullat për mbrojtjen e kapitalit dhe konsumatorit.

Negociatat e BE-së të enjten u fokusuan gjithashtu në çështje të tilla, si mbikëqyrja dhe konsumi i energjisë i aseteve kripto.

“Ne kemi rënë dakord që ofruesit e aseteve të kriptove duhet të zbulojnë në të ardhmen konsumin e energjisë dhe ndikimin mjedisor të aseteve”, tha Berger.

Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, dy qendra kryesore të kriptos, nuk kanë miratuar ende rregulla të ngjashme, megjithëse rregullatorët në të dy vendet kanë paralajmëruar nevojën për masa mbrojtëse më të forta në këtë sektor. /Albanianpost.com

Read Previous

A mund ta mbrojë NATO-ja Evropën Lindore?

Read Next

​Haxhiu: Byronë nuk e tërheqim nga Kuvendi, i paprecedentë reagimi i KPK-së