Rritja e çmimeve, lufta me Iranin, pakënaqësia ndaj presidentit Donald Trump dhe rikthimi i votuesve hispanikë dhe afro-amerikanë në kampin demokrat, janë pesë faktorët kryesorë që ndikuan në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, sipas BBC.
Demokratët kanë marrë kontrollin e Kongresit amerikan, pas fitores në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i shkaktuar Partisë Republikane një humbje të konsiderueshme.
Rezultati shihet si një tregues i pakënaqësisë së votuesve ndaj politikave të ndjekura nga administrata Trump gjatë dy viteve të fundit.
Megjithëse partia e presidentit në detyrë, zakonisht humbet terren në zgjedhjet e mesmandatit, këtë herë përmasat e humbjes republikane kanë qenë më të mëdha se pritshmëritë.
Sipas analizës së BBC-së, pesë janë faktorët kryesorë që shpjegojnë këtë rezultat.
1. Amerikanët votuan kundër rritjes së kostos së jetesës
Rritja e çmimeve të produkteve të përditshme ishte një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë së votuesve. Në të gjithë vendin, amerikanët shprehën shqetësimin për shtrenjtimin e karburanteve, ushqimeve dhe energjisë.
Një votuese në Karolinën e Veriut, e cila vendosi të mbështeste demokratët pasi më parë kishte votuar për republikanët, tha se çmimet e benzinës, ushqimeve dhe produkteve të tjera po rriteshin vazhdimisht.
Të dhënat e cituara në analizë tregojnë se çmimet u rritën me 3,7% në 12 muajt deri në shtator, ndërsa benzina arriti pranë nivelit rekord prej 6,52 dollarësh për gallon.
Sondazhet treguan se 79% e amerikanëve, kishin përjetuar vështirësi të moderuara ose të konsiderueshme për shkak të inflacionit gjatë vitit të fundit.
Më shumë se gjashtë në dhjetë të anketuar, fajësuan politikat e Trump për nivelin e lartë të çmimeve.
2. Lufta me Iranin u kthye në kosto politike për Trump
Konflikti ushtarak që SHBA-ja dhe Izraeli nisën kundër Iranit në shkurt, u bë një tjetër faktor që ndikoi në rezultatin zgjedhor.
Pas ndërhyrjes ushtarake, Teherani bllokoi praktikisht Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Kjo shkaktoi rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve, duke shtuar presionin mbi ekonominë dhe buxhetet familjare amerikane.
Por pakënaqësia nuk lidhej vetëm me pasojat ekonomike të luftës.
Për një pjesë të mbështetësve të lëvizjes MAGA, përfshirja në konflikt përbënte një mospërputhje me premtimet elektorale të Trump, i cili gjatë fushatës kishte përdorur sloganin “America First” dhe kishte premtuar se SHBA-ja nuk do të përfshihej në luftëra të reja.
Sondazhet treguan se 63% e votuesve, mendonin se vendimi për të sulmuar Iranin ishte i gabuar, ndërsa 74% e konsideronin konfliktin një faktor të rëndësishëm ose vendimtar në zgjedhjen e tyre për Kongresin.
Një ditë pas zgjedhjeve, Trump pranoi në një intervistë për “Fox News” se lufta kishte ndikuar në rezultat, por mbrojti vendimin për ndërhyrje, duke argumentuar se ajo ishte e nevojshme për të penguar Iranin të siguronte armë bërthamore.
3. Demokratët u përqendruan te problemet e përditshme të qytetarëve
Një tjetër arsye ishte mënyra se si dy partitë zhvilluan fushatën elektorale.
Demokratët e orientuan mesazhin e tyre drejt çështjeve që shqetësonin drejtpërdrejt qytetarët, si kostoja e jetesës, shëndetësia dhe korrupsioni.
Në disa zona tradicionalisht republikane, kandidatët demokratë arritën rezultate të papritura.
Në Teksas, ish-mësuesi James Talarico dhe në Kansas, pastori Adam Hamilton, përdorën edhe bindjet e tyre fetare për të krijuar lidhje me komunitetet konservatore.
Në Karolinën e Jugut, ish-pediatrja Annie Andrews fitoi një garë të rëndësishme duke vënë në qendër të fushatës kostot e kujdesit shëndetësor.
Në Miçigan, Abdul El-Sayed u mbështet te mesazhi për largimin e parave nga politika dhe rritjen e të ardhurave të qytetarëve.
Ndërkohë, në Xhorxhia, senatori demokrat, Jon Ossoff siguroi rizgjedhjen me një fushatë të përqendruar te shtrenjtimi i jetesës dhe lufta kundër korrupsionit.
Fitorja e tij bindëse në një shtet ku Trump kishte fituar dy herë ka nxitur diskutimet për një kandidim të mundshëm të Ossoffm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Edhe Trump pranoi se demokratët kishin zhvilluar një fushatë të suksesshme, duke deklaruar për Fox News: “Demokratët bënë një punë të mirë”.
4. Trump u bë një faktor negativ për kandidatët republikanë
Popullariteti në rënie i presidentit ndikoi drejtpërdrejt në rezultatet e kandidatëve republikanë.
Dy nga shqetësimet kryesore të votuesve, inflacioni dhe lufta me Iranin, lidheshin me vendimet e administratës së Trump.
Mbështetja për presidentin kishte rënë edhe brenda elektoratit republikan, duke i bërë më të cenueshëm kandidatët në disa shtete ku ai kishte fituar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Gjatë fushatës, Trump u kërkoi mbështetësve të votonin sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit, duke e lidhur rezultatin e zgjedhjeve me mbështetjen personale për të.
Megjithatë, kjo strategji duket se pati efekt të kundërt, pasi pakënaqësia ndaj presidentit u reflektua edhe te kandidatët e partisë së tij.
Sondazhet e muajve të fundit kishin treguar se amerikanët kërkonin që Trump t’u kushtonte më shumë vëmendje problemeve ekonomike.
Por në fjalimin e tij të fundit elektoral në Uashington, të hënën, presidenti foli gjatë për projektin e diskutueshëm të rinovimit të zonës së Reflecting Pool, në vend që të përqendrohej te shqetësimet financiare të familjeve amerikane.
5. Votuesit hispanikë dhe afro-amerikanë u rikthyen te demokratët
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte ndryshimi i prirjeve elektorale të votuesve hispanikë dhe afro-amerikanë, dy komunitete që kishin kontribuar në fitoren e Trump në vitin 2024.
Në zgjedhjet e këtij viti, një pjesë e konsiderueshme e këtyre votuesve u rikthye në mbështetje të demokratëve.
Demokratët fituan të tria garat për Dhomën e Përfaqësuesve në zonat me shumicë hispanike përgjatë kufirit mes Teksasit dhe Meksikës.
Sipas një analize të gazetës “The New York Times”, qarqet me shumicë hispanike shënuan një zhvendosje prej më shumë se 22 pikësh përqindjeje kundër kandidatëve republikanë për Senatin, krahasuar me zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Ky ishte ndryshimi më i madh mes grupeve kryesore demografike në vend.
Një nga arsyet e këtij ndryshimi lidhet me pakënaqësinë ndaj politikave të ashpra të administratës Trump për emigracionin.
Sipas Qendrës Kërkimore “Pew”, 56% e amerikanëve kishin një opinion negativ për Agjencinë Federale të Emigracionit (ICE).
Edhe zonat me shumicë afro-amerikane shënuan një zhvendosje të konsiderueshme drejt demokratëve.
Në Misisipi, ku afro-amerikanët përbëjnë rreth 37% të popullsisë, gara për Senatin mbeti shumë e ngushtë. Nëse demokrati Scott Colom do të fitonte, ai do të bëhej senatori i parë demokrat i zgjedhur në këtë shtet që prej vitit 1982.
Një humbje me pasoja për të ardhmen politike të republikanëve
Rezultati i zgjedhjeve tregon se humbja e republikanëve, nuk lidhet vetëm me prirjen tradicionale të votuesve për të ndëshkuar partinë në pushtet në zgjedhjet e mesmandatit.
Kombinimi i pakënaqësisë ekonomike, luftës me Iranin, rënies së mbështetjes për Trump dhe ndryshimit të prirjeve të disa grupeve të rëndësishme të votuesve, krijoi kushtet për fitoren e demokratëve.
Dy vjet pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, demokratët marrin kontrollin e Kongresit, ndërsa republikanët përballen me sfidën e rishikimit të strategjisë së tyre politike, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028. /ATSH/