Barcelona rrezikon të humbasë Gavi-n me zero

La Liga do t’i rikthejë Gavi-t statusin si lojtar i akademisë së Barcelona-s në kapitullin e fundit të një mosmarrëveshjeje të gjatë ligjore mbi regjistrimin e kontratës së re të lojtarit, të rënë dakord shtatorin e kaluar me klubin katalanas.

Gavi do të jetë ende në gjendje të luajë normalisht për Barçën, por është një zhvillim i rëndësishëm pasi kushti riaktivizon një klauzolë që do t’i lejonte Gavi-t të largohej për një vlerë të vogël verën e ardhshme.

Në lidhje me këtë, Barcelona i ka thënë “The Athletic” se ata synojnë të ndërmarrin veprime të mëtejshme ligjore për këtë çështje.

Megjithatë, situata e Gavi-t mbetet veçanërisht komplekse dhe marrëdhënia tashmë midis Barcelona-s dhe Ligës spanjolle (për çështjen e Super League, por jo vetëm) është tepër e tensionuar.

Kur 18-vjeçari nënshkroi një zgjatje të kontratës në shtator deri në vitin 2026, ai ishte ende i regjistruar si lojtar në akademinë e të rinjve. Marrëveshja e re përfshinte një klauzolë që do ta lejonte atë të largohej si lojtar i lirë nëse Barcelona nuk e regjistronte atë si lojtar të ekipit të parë deri më 30 qershor 2023.

Në afatin kalimtar të janarit, Barcelona nuk arriti ta përfundonte këtë operacion, me La Liga që deklaroi se klubi nuk mund të vazhdonte për shkak të shkeljes së rregullave të kufirit të pagave në Spanjë. Pak para përfundimit të sesionit të dimrit, Barça kërkoi një urdhër, duke vepruar pa dijeninë e La Liga-s, për të provuar të detyronte trupin e futbollit të regjistronte Gavi-n si lojtar të ekipit të parë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, gjatë paraqitjes së çështjes, Barça tha se vendimi i La Liga-s për të refuzuar regjistrimin e Gavi-t ishte pjesë e “një fushate ngacmimi” kundër klubit. Kështu, në ditën e fundit të afatit kalimtar të dimrit, një gjykatë e Barcelona-s urdhëroi një masë të përkohshme që detyroi La Liga-n të regjistronte mesfushorin si lojtar të ekipit të parë, ndërsa gjithashtu i dha klubit 20 ditë kohë për të ngritur një çështje të veçantë, përmes së cilës të marrë një zgjidhje të përhershme për statusin e lojtarit.

Barcelona paraqiti dokumente që mbështesin këtë rast të ri më 2 mars. La Liga më pas kundërshtoi paraqitjen, duke pretenduar se ata humbën afatin për ta bërë këtë për një ditë. Javën e kaluar, në një dokument drejtuar të dyja palëve gjykata ishte në favor të La Liga-s, duke thënë se Barcelona me të vërtetë kishte dorëzuar dokumentet pas afatit.

Gjykata i dha Barçës pesë ditë për t’u përgjigjur përpara se të merrte një vendim përfundimtar nëse regjistrimi i Gavi-t i detyrohej statusit të tij të mëparshëm, atij të një lojtari të akademisë. La Liga konfirmoi për “The Athletic” se gjykata ka nxjerrë një vendim përfundimtar: heqjen e masës së përkohshme që e kishte detyruar atë të njihte regjistrimin e Gavi-t si lojtar i ekipit të parë.

Nga ana e saj, Barcelona vazhdon të pretendojë se ka depozituar dokumentet e nevojshme në kohë dhe ka deklaruar se synon të apelojë më tej. /Albanianpost.com

Read Previous

Sulmohet një zyrtar policor në Jarinjë

Read Next

Përmirësimi i sistemit energjetik, qeveria miraton huazimin e mbi 25 milionë eurosh nga kompania gjermane