Në “Fadil Vokrri” u bë e qartë se Ballkani ka dukshëm më tepër cilësi se Larne, kampioni i Irlandës së Veriut. Kampioni i Kosovës këtë synon ta konfirmojë edhe në Belfast.
Të enjten prej orës 20:30, Larne e Ballkani e luajnë ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Solitude” në Belfast. Stadiumi i Larnes nuk i plotëson kriteret për ndeshje evropiane dhe për këtë arsye Ballkani do të luajë në Belfast.
Ballkani të martën ka udhëtuar për në Irlandë të Veriut. Ka stërvitur të martën e të mërkurën dhe e pret me optimizëm ndeshjen e kthimit.
Në Prishtinë, Ballkani fitoi 3:0, ndërsa nuk u rrezikua thuajse asnjëherë. Trajneri Ilir Daja kishte luksin që të zëvendësonte disa prej lojtarëve të rëndësishëm në minutat e fundit.
“Jemi përgatitur për ndeshjen e kthimit. Ekipi është i motivuar që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të kalojmë këtë pengesë. Duhet t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh dhe t’i shfrytëzojmë rastet që i kemi”, ka thënë për KOHËN mesfushori Lindon Emërllahu, njëri prej lojtarëve të rëndësishëm të Ballkanit.
“Kualitetin e kemi. Në skuadër kemi lojtarë cilësorë, ndërsa tashmë edhe përvoja nuk na mungon. Do t’i marrim ndeshjet një nga një për të vazhduar tutje”, ka shtuar Emërllahu.
Ai shpreson që me Ballkanin të sigurojë fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Vetëm më pas do të ulet me menaxherin dhe drejtuesit e klubit për të diskutuar për të ardhmen. Ka gjasa të mëdha që Emërllahu të transferohet në ndonjë klub jashtë Kosovës.
Ballkani vjet debutoi në garat evropiane. Arriti deri në grupet e Ligës së Konferencës duke shkruar histori sa i takon futbollit kosovar.
Këtë edicion nisi në raundin e parë kualifikues të Championsit. Fitoi 2:0 ndaj kampionit bullgar, Ludogorets, por më pas humbi 4:0 në udhëtim. U eliminua dhe u zhvendos në Ligën e Konferencës.
“Po mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme. Duam ta përfundojmë me sukses dhe pastaj do të merremi me kundërshtarin e radhës. Jemi përgatitur si skuadër që të synojmë sërish historinë e vitit të kaluar”, ka shtuar Emërllahu.
Te Larne kanë thënë se duhet të mësojnë nga humbja në Prishtinë. Kampioni i Irlandës së Veriut synon të reagojë në ndeshjen e së enjtes. Por te Larne kanë pranuar cilësinë e Ballkanit, bazuar në ndeshjen e parë.
Në rast që e kalon Larnen, që edhe pritet, Ballkani në raundin e tretë kualifikues përballet me skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps. Edhe ndaj Lincolnit, kampioni kosovar do të jetë favorit i madh./EO/